Feja

Më 18 qershor në Pfaffenhofen të Gjermanisë përurohet shtatorja e Nënë Terezës

Qytetarëve të Pfaffenhofenit nga 18 qershori 2016 do t’iu shtohet figura e shkrirë në bronz e të lumes  Nënës Terezë. Ky manifestim kulturor është bërë me organizimin e Shoqatës Kulturore Shqiptare ‘Sali Çekaj’ në Pfaffenhofen dhe Misionit Katolik Shqiptar në Gjermani.
“Ne, brezat që vijmë, do të krenohemi më veprën jetësore, dimensionin jetësor dhe humanitar të Nënës Terezë”, thuhet në ftesën e dërguar për media, përcjell albinfo.ch.  Zbulimi i shtatores së Nënë Terezës do të bëhet në orën 17.30, ku më pas do të vazhdohet me “Mbrëmjen shqiptare” në qendër të qytetit, ku para të pranishmëve do të këndojnë  Eda Zari, Meda, Astrit Mulaj dhe Kolë Oroshi. Po ashtu, grupe valltarësh nga shoqata të ndryshme do të shfaqen me disa pika vallëzimi, ndërkohë e ftuar speciale është Shoqata Kulturore “17 shkurti” nga Badeini i Austrisë, e cila do të prezantohet me një program të larmishëm të valleve shqiptare.
Në ftesë thuhet gjithashtu se mysafirë do të jenë edhe prijësit fetarë të Shqipërisë dhe Kosovës.