Kosova

MD: Do të rritet numri i zyrtarëve që deklarojnë pasurinë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim Këshilltarin e Lartë për Masat Kundër Korrupsionit në Zyrën Qendrore të UNDP-së,​ Euy-Whan Kim, me të cilin ka biseduar për përmirësimin e infrastrukturës normative në luftën kundër korrupsionit.

Ministri Tahiri ka vlerësuar mbështetjen që deri më tani UNDP ka dhënë në përpjekjet e Republikës së Kosovës për të ndërtuar një qasje me zero tolerancë ndaj korrupsionit. Kjo mbështetje është duke vazhduar edhe në kuadër të agjendës legjislative të Ministrisë së Drejtësisë.

Ministri Tahiri ka njoftuar përfaqësuesit e UNDP-së me orientimin e politikave publike të kësaj fushe, duke bërë të ditur se në kuadër të Pakos së Ligjeve Kundër Korrupsionit, është duke u punuar në hartimin e dy projektligjeve të reja, përkatësisht atij për Deklarimin e Pasurisë dhe për mandatin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të cilat do të sjellin një perspektivë më të fuqishme që nxit parandalimin efikas të abuzimit dhe keqpërdorimit me paranë publike.

Me këtë rast, ministri Tahiri ka njoftuar përfaqësuesit e UNDP-së se në këtë fushë janë paraparë ndryshime përmbajtjesore, duke filluar nga rritja e numrit të zyrtarëve që do të deklarojnë pasurinë, tek kontrolli efikas i të dhënave të deklaruara, deklarimi në formë elektronike dhe masa të tjera që do të përcaktojnë qartë rolin dhe mandatin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, me fokus në parandalim.