Kosova

Mbyllet restauranti në Gjilan ku u helmuan qytetarët për iftar

Që nga mbrëmë, 20 të helmuar vazhdojnë të jenë të shtrirë në Spitalin e Gjilanit e mbi 300 persona kanë kërkuar ndihmë në qendrën emergjente

Rreth 300 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të një helmimi që ka ndodhur të premten pas ngrënies së iftari në restorantin ”Garden” në afërsi të Gjilanit. Këshilltarja komunale e PSD-së, Festa Shabani përmes një statusi në facebook ka njoftuar se ka vizituar 20 personat e helmuar që po vazhdojnë të jenë të shtrirë në Spitalin e Gjilanit.

“Javë më parë në Kuvend Komunal e ngrita si shqetësim mungesën e kontrollit të mishit në Gjilan. Që nga mbrëmë, 20 të helmuar vazhdojnë të jenë të shtrirë në Spitalin e Gjilanit e mbi 300 persona kanë kërkuar ndihmë në qendrën emergjente. I vizitova, dhe të gjithë kishin shkallë të lartë të helmimit. Të gjithë të helmuar nga mishi”, ka thënë ajo.

Shabani deklaron se është momenti i fundit kur Komuna bashkë AVUK-un duhet të zgjohen nga gjumi.

Por  drejtori i inspeksionit komunal Nevzat Rushiti ka thënë se inspektorët e komunës së Gjilanit nuk kanë kompetenca për të kontrolluar restaurantin “Garden”, aty ku edhe ka ndodhur helmimi sepse bëhet fjalë për territorin e Novobërdës dhe nuk është në territor të Gjilanit edhe pse vendi gjendet pak më shumë së një kilometër nga qendra e Gjilanit.

E Prokuroria e Gjilanit ka marr vendim që të mbyll përkohësisht restorantin ”Garden”, pas rastit të helmimit.