Shqipëria

Mbyllen pikat kufitare Shqipëri-Greqi, mund të kalojnë vetëm këmbësorët dhe rastet emergjente

Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, si dhe Qendra e Bashkëpunimit Policor në Kakavijë, kanë njoftuar se sot nga ora 07:00 deri në orën 23:00, punonjësit e doganës greke në Kakavijë, Qafë Bot – Sarandë dhe Tre Urat – Përmet do të zhvillojnë grevë.

Për këtë arsye do të pezullohet lëvizja e lirë e automjeteve. 

Policia Kufitare e Janinës ka sqaruar se gjatë kësaj periudhe do të lejohen vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore (ambulancat).

“Nisur nga kjo situatë, Policia Kufitare u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve që kanë planifikuar udhëtimin drejt Greqisë, të zgjedhin alternativa të tjera dhe të shmangin grumbullimin në pikat kufitare të sipërpërmendura deri në një njoftim të dytë”, thuhet në njoftim.