E-Diaspora

Mbrëmje e veçantë kulturore në Koln nga shoqata “URACult”

Autorja e re Anita Rafuna kishte filluar qysh në moshën 16 vjeçare të shkruaj romanin e parë të saj

Me edicionin e dytë të mbrëmjes letrare “URACult Literae”, shoqata kulturore URACult nga Köln-i ofroi edhe një herë një mbrëmje të veçantë kulturore.

Me autoret Lindita Arapi dhe Anita Rafuna, URACult-i kishte ftuar dy autore gjeneratash dhe zhanresh të ndryshme, por edhe temash të ndryshme të veprave të tyre, shkruan albinfo.ch.

Lindita Arapi, autorja e romanit “Vajzat me çelës në qafë”, pjesë nga i cili u lexuan në këtë mbrëmje, solli një temë të dhimbshme të së kaluarës shqiptare: vuajtjet e popullit gjatë diktaturës komuniste të cilës nuk i shpëtuan as më të vegjlit, siç ishte protagonistja Lodja.

Edhe në bisedën me moderatoren e autorja Arapi shpalosi shumë kujtime dhe përjetime të saj dhe familjes së saj gjatë diktaturës, periudhë me të cilën shoqëria shqiptare ende nuk ka filluar përballjen. As viktimat e as ish-anëtarët e aparatit diktatorial shtetëror.

Emocionale dhe rrëqethëse ishte edhe paraqitja spontane e aktorit Kasem Hoxha. Ai recitoi poezinë “Vertikal” të Petrit Palushit për historinë e dhimbshme të poetit Havzi Nela. Edhe ky viktimë e diktaturës së tmerrshme komuniste.

Autorja e re Anita Rafuna kishte filluar qysh në moshën 16 vjeçare të shkruaj romanin e parë të saj. Leximi i saj nga vepra “Vrapuesja” e shkruar me shumë fantazi u prit shumë mirë nga publiku.

Sidomos dy tekstet e saj në “poetry slam” me tema interesante u duartrokitën gjatë nga të pranishmit të cilët nuk kursyen me lëvdata dhe falënderime edhe për organizatorët të cilët edhe një herë ofruan një organizim kulturor të nivelit të lartë.