Integrimi

“Mbrëmja shqiptare” heq pluhurin nga “Shqipëria e panjohur”

Organizuar nga “Miqtë e Yad Vashem” mbrëmja lidhet me ekspozitën “Besa, një çështje nderi” të hapur në Muzeun Nacional të Lihtenshtajnit

„Shqipëria e panjohur“, këto janë fjalët çelës të “Mbrëmjes Shqiptare”, që u mbajt mbrëmjen e të mërkurës në Muzeun Nacional të Principatës së Lihtenshtajnit. Për të hequr pluhurin nga fotografia e Shqipërisë, e errësuar nga historia e saj e rëndë, me fjalët e tyre kontribuuan ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër dhe në Lihtenshtajn, z. Mehmet Elezi, drejtori i muzeut, arkeologu Prof. Dr. Rainer Vollkommer dhe kryetari i shoqatës së miqve të Yad Vashem, Florian Marxer.

Krahas fjalëve të të përmendurve u shfaq edhe një dokumentar me xhirime dhe fotografi nga ekspedita e parë arkeologjike nga Gjermania, e organizuar në Shqipëri, në vitin 1985.

Mbrëmja shqiptare ishte organizuar nga shoqata “Miqtë e Yad Vashem” (organizatë izraelite që përkujton holokaustin). Ajo është vazhdimësi e ekspozitës “Besa, një çështje nderi” e financuar nga po kjo shoqatë, që po qëndron e hapur në këtë muze nga fundi i janarit deri më 4 mars.

© albinfo.ch

Florian Marxer në fjalën e tij ka sjellë në kujtesën e të pranishmëve mrekullinë e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët, të cilët edhe vetë ishin nën pushtimin italian e më vonë edhe gjerman. Shqipëria është vendi i vetëm në botë, në të cilin më shumë hebrenj ka pasur pas luftës se sa para saj. Sepse, në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore ka pasur fare pak hebrenj vendës. Ndërkaq, të gjithë ata që kanë emigruar atje para dhe gjatë luftës, të ikur nga nazizmi, kanë shpëtuar të gjallë, falë mikpritjes deri në vetësakrifikim, të shqiptarëve.

Kjo është bërë e mundur, ka thënë Marxer, falë kodit etik, të veçantë të shqiptarëve, falë Besës. Ai ka përkujtuar se nuk kanë qenë vetëm nazistët, në Gjermani dhe në Austri ata që kanë përndjekur hebrenjtë. Mjerisht edhe grupe nga popujt tjerë të pushtuar nga nazizmi, kanë bërë të njëjtën gjë. Dhe kjo e dallon përvojën shqiptare të hebrenjve diametralisht nga përvojat tjera të tyre. Për këtë, Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë mirënjohjen e popullit hebre dhe të miqve të tij, ka thënë Marxer.

© albinfo.ch

Në fjalën e tij të zgjeruar, ambasadori i Shqipërisë Mehmet Elezi ka bërë një prezantim shumëplanësh të vendit të tij. Në fokus të këtij prezantimi kanë qenë ato që, sipas tij, mund të quhen keqkuptimet kryesore të botës lidhur me Shqipërinë. Keqkuptimi se Shqipëria është vend mysliman dhe keqkuptimi tjetër, që i përshkruan shqiptarët si të dhunshëm. “Shqipëria nuk është vend mysliman, nuk është as i krishterë. Shqipëria është vend shumëfetar. Shqiptarët, para se me qenë myslimanë a të krishterë, janë shqiptarë, janë evropianë”, ka thënë Elezi duke shkoqitur keqkuptimin e parë. Dhe me këtë rast ka kujtuar dy maksimat e njohura të Rilindjes Shqiptare: “Feja e shqiptarit asht shqiptaria” dhe “Dielli lind tek perëndon”, që shpërfaqin orientimin properëndimor, evropian të shqiptarëve.

Pastaj ambasadori Elezi, duke u ndërlidhur me moton e ekspozitës “Besa, një çështje nderi” ka sqaruar konceptin e Besës, që është unik për shqiptarët dhe i papërkthyeshëm në gjuhët tjera. Më në fund, lidhja me Besën ka qenë ajo që ka mundësuar edhe mikpritjen dhe shpëtimin e hebrenjve të ikur nga nazizmi. “Në Kanun thuhet: shpia e shqiptarit asht e Zotit dhe e mikut. Në kulturën shqiptare miku është institucion i shenjtë. Ashtu si Besa. Besa nënkupton mbajtjen me çdo çmim të fjalës së dhënë, mbrojtjen me çdo çmim të dikujt që është në fatkeqësi dhe kërkon mbrojtjen tënde”, ka thënë Elezi.

Në një dokumentar të shfaqur për herë të parë këtë mbrëmje, është pasqyruar realiteti i Shqipërisë gjatë kohës së diktaturës dhe izolimit total.

Filmi, i cili më shumë ishte një përmbledhje fotografish, është realizuar në vitin 1985, nga anëtarët e ekspeditës së parë të arkeologëve nga Gjermania në Shqipëri. Ai, me pamje dhe fjalë tregonte absurditetin e një realiteti shqiptar të viteve tetëdhjetë, të paimagjinueshëm për pjesën tjetër të botës.

© albinfo.ch

Me një fjalë shpjeguese rreth dokumentarit është paraqitur drejtori i Muzeut Nacional të Lihtenshtajnit, z. Vollkommer, i cili, në vitin 1989 kishte qenë edhe vetë pjesë e një ekspedite arkeologjike në Shqipëri. Ai me këtë rast ka evokuar kujtimet që i janë thadruar në mend nga kjo vizitë e jashtëzakonshme në një vend të jashtëkohshëm, siç e cilësonte ai Shqipërinë e kohës së diktaturës. Varfëria e dukshme, mungesa totale e automobilave privatë, rrugët e gjera e të zbrazëta në përmasa uluruese, një kontrapunkt ky me Gjermaninë hektike të asaj kohe, ishin përshtypjet më të përgjithshme nga ajo vizitë. Po aq sa edhe ndalimi i kontakteve me njerëzit e thjeshtë dhe përcjellja e vazhdueshme nga njerëzit e regjimit.

Megjithatë, përkujton Vollkommer, ky shtet i kishte kushtuar rëndësi të habitshme ruajtjes dhe konservimit të monumenteve kulturore dhe historike të vendit. Këtu përfshiheshin edhe objektet fetare, ato më të rëndësishmet, që u ishte hequr funksioni fetar dhe ishin shndërruar në muze. Dhe kjo, për arkeologët gjermanë ishte një bekim. Ata, siç e tregon edhe dokumentari, gjetën në Shqipëri monumente nga antika dhe nga mesjeta, që përbëjnë ekzemplarë të rrallë, me peshë të padiskutueshme edhe në rrafshin ndërkombëtar.

© albinfo.ch

Në “Mbrëmjen shqiptare” kishte të pranishëm edhe njerëz nga jeta politike, shoqërore të Lihtenshtajnit, kryetari i Kuvendit Shqiptar të Zvicrës, Orhan Spahiu si dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar të këtij regjioni.