Kosova

Mblidhet Qeveria e Kosovës, pritet të bëhet publik koeficienti i pagave

Sot bëhet publike vlera e koeficientit të pagave në mbledhjen e Qeverisë

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thirrur kabinetin e tij qeveritar për një mbledhje, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se kjo mbledhje pritet të fillojë nga ora 10:00.

Sot pritet që në këtë mbledhje të bëhet i ditur koeficienti i pagave, që deri më sot është “fshehur”.

Ligji për pagat, i cili është dekretuar në fillim të muajit janar nga Presidentja Vjosa Osmani, pritet të hyjë në fuqi po sot, më 1 shkurt.

Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar se koeficienti i në kuadër të Ligjit të pagave do të caktohet brenda muajit janar, ndërkaq vlera e koeficientit do të bëhet sot publike në mbledhjen e Qeverisë.

Më 22 dhjetor 2022, Ligji për paga ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, i cili parasheh ndryshim të pagave për punëtorët e sektorit publik, ndërsa më 4 janar ishte dekretuar nga Presidentja.

Vlera e koeficientit të pagave pritet që të dërgohet për miratim në Kuvend.

Opozita tërë këtë proces e ka quajtur jotransparent.

Për shefin e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, procesi i përcaktimit të koeficientit të pagave është jotransparent.

“Këtë proces e ka karakterizuar një proces jotransparent. Pra, përcaktimi i koeficientit të pagave do të duhej të mendohej si një debat i gjerë ndërmjet Qeverisë dhe akterëve të ndryshëm të shoqërisë, grupeve të interesit dhe përfaqësuesve të sindikatave”, ishte shprehur Tahiri.

Por, ministri i Financave, Hekuran Murati, kishte thënë se çështja e koeficientit për Ligjin e pagave nuk është duke u mbajtur fshehtë.

Murati përmes një konference për media ka thënë se vlera e koeficientit është duke u përllogaritur nga informatat që vijnë nga organizata të caktuara.

“Disa çështje i takojnë dikastereve të tjerë, ekipet po punojnë në aktet nënligjore. Edhe për koeficientin dhe tema tjera do të përditësohen. Koeficienti nuk është duke u mbajtur fshehur. Po përllogaritet ashtu siç vijnë informatat në organizatat buxhetore”, është shprehur Murati.

Kujtojmë se, opozita ashtu dhe sindikatat në vend kanë kërkuar që koeficienti i pagave të mos jetë më i vogël se 120 euro.

Koeficienti më i lartë, pra 18 i takon vetëm presidentit të Kosovës, niveli 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, deri sa koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit dhe shefit të Qeverisë. Derisa koeficienti më i ulët është 2 dhe ai iu takon pozitave për rekrut/kadet të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policorë, doganorë dhe korrektues.