Bota

Mbijeton Qeveria e Merkelit

Seehofer më herët kërcënoi se do të largohet, por tha se është rënë dakord për kontrolle më të rrepta kufitare

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer, tha se nuk do të japë dorëheqje, pas disa orësh bisedime me kancelaren Angela Merkel.

Ai tha se dy partitë konservatore në koalicionin qeverisës janë pajtuar se si të parandalojnë migrimin e paligjshëm përgjatë kufirit me Austrinë, raporton “Radio Evropa e Lirë”.

Seehofer më herët kërcënoi se do të largohet, por tha se është rënë dakord për kontrolle më të rrepta kufitare, përcjell albinfo.ch.

Merkel po ashtu tha se është gjetur një kompromis i mirë.

Seehofer udhëheq Bashkimin Kristian Social, partinë simotër bavareze të Demokristianëve të Merkelit.

Seehofer kërkoi të drejtën për t’i kthyer prapa migrantët e paligjshëm në kufirin e Bavarisë, por Merkel e mbrojti një marrëveshje të arritur me Bashkimin Evropian.

Javën e kaluar, BE-ja u pajtua për ngritjen e të ashtuquajturave qendra tranziti, nga të cilat njerëzit që kanë kërkuar azil në një vend tjetër të BE-së, mund të kthehen prapa në pikën e tyre të mbërritjes, nëse shteti tjetër pajtohet.