Kosova

Mbi 90 mijë kosovarë aplikuan për viza brenda një viti

Më shumë se 90 mijë shtetas të Kosovës kanë aplikuar për viza Schengen gjatë vitit 2018, shkruan albinfo.ch.

Sipas të dhënave nga schengen visa info, pjesa më e madhe e tyre aplikuan për në Gjermani (32529 aplikime) dhe Zvicër (30712 aplikime). Pas vendit alpin, pason Greqia, Italia, Sllovenia, Hungaria, Norvegjia, Finlanda dhe Sllovakia.

Nga 90840 aplikime gjithsej, 63424 viza me vlefshmëri të kufizuar territoriale (LTV) janë lëshuar, kurse 19631 janë refuzuar, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportit në fjalë, përqindja më e madhe e vizave të refuzuara vjen nga shteti finlandez me 34.3 për qind, dhe shteti hungarez me 29.9 për qind.

Ndërkaq, Gjermania ka refuzuar 22.8 për qind të aplikimeve, kurse Zvicra 19.6 për qind.

Krahasuar me vitin paraprak, në vitin 2018 u vërejt një rritje e lehtë e numrit të kosovarëve që kërkuan viza.

Në vitin 2017, u regjistruan gjithsej 90475 aplikime për viza, 365 aplikime më pak se në vitin 2018.