Lajme
Mbi 800 milionë njerëz në botë vuajnë nga sëmundja e diabetit
Një studim i ri ka zbuluar se numri i njerëzve të diagnostikuar me sëmundjen e diabetit është dyfishuar gjatë 30 vjetëve të fundit. Shifra ka arritur në më shumë se 800 milionë njerëz në mbarë botën.
Analizat që janë bërë nëpër botë, të cilat janë publikuar në gazetën “Lancet”, kanë gjetur se normat e numrit të personave të rritur të sëmurë me diabet janë dyfishuar nga afërsisht 7 për qind sa kanë qenë, në 14 për qind, ndërmjet viteve 1990 deri në 2022. Rritja më e madhe u dallua te vendet me të ardhura të mesme e të ulëta, ka shkruar “The Guardian”.
Ky studim është i pari në nivel global që ka analizuar normat e diabetit dhe trajtimin e tij në të gjitha vendet e botës. Shkencëtarët në NCD-RisC, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), kanë përdorur të dhënat nga më shumë se 140 milionë njerëz të moshës mbi 18 vjeç, të cilat i kanë marrë nga më shumë se 1.000 studime që janë bërë në vende të ndryshme në botë. Ata aplikuan mjete statistikore në mënyrë që të mundësonin krahasime adekuate të prevelancës dhe trajtimit ndërmjet shteteve dhe regjioneve.
Diabeti është sëmundje kronike, e cila shkaktohet kur pankreasi nuk mund të prodhojë mjaftueshëm ( apo fare) insulinë, apo kur trupi nuk mundet ta përdorë në mënyrë efektive insulinën që prodhon.
Diabeti i tipit 2 është një çrregullim metabolik, i cili ndalon trupin që ta përdorë insulinën në mënyrën e duhur.
Më shumë se 95 për qind e njerëzve me diabet janë të diagnostikuar me diabet të tipit 2.
Ndryshe nga diabeti i tipit 1, diabeti i tipit 2 mund të parandalohet. Mbipesha, ushqyerja në mënyrë të pashëndetshme dhe mungesa e aktivitetit fizik, si dhe faktorët gjenetikë, mund ta rrisin rrezikun për zhvillim të diabetit.
Studimi ka vënë në dukje pabarazitë shëndetësore. Më shumë se gjysma e njerëzve me diabet në botë ishin të përqendruar në katër vende. Nga ata me diabet në vitin 2022, më shumë se çereku i tyre (212 milionë) jetonin në Indi, 148 milionë jetonin në Kinë, 42 milionë në SHBA dhe 36 milionë në Pakistan. 25 milionë ishin në Indonezi dhe 22 milionë në Brazil.
Në disa vende të tjera si Karaibet, Lindja e Mesme e Afrika Veriore, më shumë se 25 për qind e grave dhe burrave të popullatës janë me diabet, ndërkohë që në SHBA (12.5 për qind) dhe në Britani (8.8 për qind).
Në kontrast më këto të dhëna, normat e diabetit në vitin 2022 ishin po aq të ulëta sa 2-4 për qind për gratë në Francë, Danimarkë, Spanjë, Zvicër e Suedi, dhe 3-4 për qind për burrat në Danimarkë, Francë, Ugandë, Keni, Malavi, Spanjë e Ruanda.
Rritjet e rasteve me mbipeshë, bashkë me plakjen e popullatës, do të thotë se ka rrezik të rritjes së numrit të njerëzve që sëmuren me diabet.
“Pasi e dimë shkallën e fatalitetit dhe pasojat e diabetit, parandalimi i tij përmes të ushqyerit të shëndetshëm dhe ushtrimeve është esencial për shëndet më të mirë në të gjithë botën”, ka thënë doktoresha Ranjit Mohan Anjana, autore e studimit dhe presidente e fondacionit “Madras Diabetes Research Foundation” në Indi.
Ajo tutje ka thënë se këto gjetje kanë vënë në dukje nevojën për politika më ambicioze, sidomos te vendet e regjionet me të ardhura të vogla.
“Duhet të bëhet më i qasshëm ushqimi i shëndetshëm, kjo arrihet duke e bërë çmimin më të përballueshëm. Duhet të përmirësohen mundësitë për të ushtruar, duke i bërë më të lira çmimet e palestrave, si dhe duke rregulluar parqet”, ka thënë doktoresha.
Studimi gjithashtu ka gjetur se përveç disa kufizime, përfshirë edhe ilaçet që ulin nivelin e sheqerit në gjak, mungesa e trajtimit gjithashtu po kontribuon në pabarazi.
Ndërkohë që shumë vende me të ardhura të larta kanë parë përmirësime në normat e numrit të personave të trajtuar për këtë sëmundje, në më shumë se 55 për qind e të rriturve me diabet që marrin trajtim në vitin 2022, për shumë vende që kanë të ardhura të ulëta nuk është vënë re përmirësim në qasje në trajtim të diabetit.
Si rezultat më shumë se gjysma e të rriturve me diabet, 445 milionë (59 për qind), të moshës 30 vjeçe e më të vjetër, nuk morën trajtim për sëmundjen në vitin 2022.
Një nga autorët e tjerë të këtij studimi, profesori Majid Ezzati, nga Kolegji Imperial në Londër, ka thënë se gjetjet nga studimi kanë vënë në pah pabarazitë që ndodhin në botë në lidhje me diabetin.
“Kemi gjetur se shkalla e njerëzve me diabet, që nuk marrin trajtim, është në rritje të madhe në vendet me të ardhura të ulëta. Shqetësimi qëndron te fakti që personat me diabet në këto vende janë më të rinj, kanë mungesë të trajtimit efektiv dhe janë më të rrezikuar nga komplikimet që mund të zgjasin tërë jetën”, ka thënë doktori, duke përfshirë problemet si amputimi, sëmundjet e zemrës, dëmtimi i veshkave apo humbja e të parit, e në disa raste edhe vdekje të parakohshme.
Ndërkohë drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se ai dhe ekipi i tij kanë parë rritje alarmuese të rasteve me diabet në tri dekadat e fundit.
“Kjo gjë vjen si reflektim i rritjes së rasteve me mbipeshë, gjë që shoqërohet nga reklamimi i ushqimeve të pashëndetshme, mungesa e aktivitetit fizik dhe vështirësitë ekonomike”, ka thënë ai, duke shtuar se për të bërë ndryshimin vendet e botës duhet urgjentisht të marrin masa.
Drejtori i OBSH-së gjithashtu ka thënë se është e domosdoshme aplikimi i politikave që mbështesin ushqyerjen e shëndetshme, aktivitetin fizik e, më e rëndësishmja, sistem shëndetësor që do të mund të siguronte parandalim të diabetit, diagnostikim të hershëm e trajtim.
“Diabeti ka marrë përmasa të pandemisë duke paraqitur kërcënim për shëndetësinë publike dhe atë ekonomike”, ka thënë Chantal Mathieu, presidente e Asociacionit Evropian për Studimin e Diabetit.
Ata kanë thënë se hartuesit e politikave duhet të krijojnë strategji parandalimi, të rrisin qasjen në analiza dhe të mbështesin iniciativa për menaxhim më të mirë afatgjatë.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit? Certifikimi kërkohet për shitjen e shumë mallrave zvicerane në BE. Pa një marrëveshje të re, ekziston...
-
Gripi sezonal, në rritje në Zvicër
-
Rrezik i lartë nga orteku, linja hekurudhore Oberalp ende e ndërprerë
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
Synohet ulja e shpejtësisë në autostradat zvicerane