Kosova

Mbi 70 % e veturave në Kosovë janë gjermane

Afër 400 mijë vetura me të drejtë qarkullimi janë në Kosovë.

Mësohet se nga numri total i veturave në Kosovë, rreth 280 mijë prej tyre janë automjete, të cilat origjinën e kanë nga Gjermania. Mbi 30 mijë me bazë nga Franca. E pjesa tjetër përmbushet me makina të shteteve tjera, përcjell albinfo.ch.

Ky informacion është lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Kosovarët vozitin më shumë vetura gjermane

Referuar statistikave, prej veturave gjermane, kosovarët del se i preferojnë më së shumti ato të tipit “Volkswagen”. Mbi 150 mijë të tilla enden në vend, apo rreth 38.3 për qind e të gjitha veturave.

Ndërkohë, kosovarët janë merakli edhe të “Mercedesit”. Afër 49 mijë vetura të kësaj marke janë në duart e tyre.

Nga ana tjetër, në Kosovë janë edhe 37 mijë makina të tipit “Opel”. 26 mijë “Audi” e 16 mijë “BMW”, të trija këto kompani po ashtu gjermane.

Veturat franceze, trend i ri edhe në Kosovë

Përveç atyre gjermane, edhe veturat franceze preferohen nga kosovarët.

Sipas statisitkave, mbi 32 mijë të tilla qarkullojnë rrugëve të Kosovës. Afër 13 mijë janë “Renault”, mbi 12 mijë “Peugeot” dhe mbi 7 mijë e 800 “Citroen”.

Pjesa tjetër e makinave vijnë nga shtetet e tjera. Ka aso nga Spanja, Italia, por edhe më larg nga Amerika e Japonia.

Në infografikën e mëposhtme është paraqitur vetëm një pjesë e numrit, ato që janë më shumë në sasi, prej 400 mijë makinave sa kanë të drejtë qarkullimi në total në Kosovë./Front Online