Zhvillim

Mbi 30 milionë € për shpronësim në Brezovicë

Vlerësimi i pronave është bërë nga vlerësuesit e licencuar, nën mbikëqyrjen e ekspertit ndërkombëtar, Mike Mc Dermott

Më shumë se 30 milionë euro do të paguaj shteti i Kosovës për shpronësimin e tokave në komunën e Shtëpcës, në vendin ku pritet të ndërtohet resorti më atraktiv i turizmit në rajonin ai i “Brezovicës”. Javën e kaluar ka përfunduar edhe vlerësimi i pronës së paluajtshme.

Deri më tani nga buxheti i shtetit, janë paguar miliona euro për projektin e Brezovicës, por fatura do të rritet dukshëm, duke kaluar shifrën prej 30 milion eurosh.

Siç raporton “Zëri”, pritet të shpronësohet sipërfaqja prej 3092 hektarësh dhe mbi 70 objekte. Vlerësimi i pronave është bërë nga vlerësuesit e licencuar, nën mbikëqyrjen e ekspertit ndërkombëtar, Mike Mc Dermott.

Nga Ministria e Financave, më saktësisht Zyra për Vlerësimin e Pronës së Paluajtshme në Departamentin e Tatimit në Pronë, thonë se janë të obliguar për ta bërë vlerësimin e të gjitha pronave të paluajtshme, të cilat janë objekt i procedurës së shpronësimit.

Po ashtu, nga ky Departament kanë bërë të ditur se kanë përfunduar edhe llogaritjen e dëmeve që kanë të bëjnë me shpronësimin në bazë të kërkesave, të cilat vijnë nga organet e ndryshme shtetërore për shpronësim.

Tenderin ndërkombëtar për investime dhe shfrytëzimin e Brezovicës, për periudhën 99 vjeçare, e ka fituar konzorciumi francezo-andorian “MDP Consulting/Compagnie des Alpes”. Ky konzorcium për ndërtimin e ski-qendrës më moderne në Ballkan, do të investojë 410 milionë euro.

Procesi i ndërtimit do të ndahet në tri etapa dhe do të zgjasë 17 vjet. Pritet të ndërtohen mbi 100 kilometra shtigje, me rreth 20 ski-lifte më moderne dhe infrastrukturë e cila Brezovicën do ta fusë në hartën botërore të turizmit malor sepse kjo qendër, është parashikuar të punoj gjatë tërë vitit, 365 ditë.

Në tri vjetët e para të zhvillimit të saj do të investohen 165 milionë euro. Në fazën e dytë të projektit llogaritet të futen 152 milionë, ndërsa në fazën e tretë, atë përfundimtaren, që kryhet pas 17 vjetëve, edhe 92 milionë tjerë.