Kosova
Mbi 30 mijë persona nuk dinë shkrim e lexim në Kosovë
30,902 persona në Kosovë konsiderohen analfabetë, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të nxjerra nga regjistrimi i popullsisë.
Në krahasim me para trembëdhjetë vjetësh, rënia e numrit të personave që nuk dinë të lexojnë dhe të shkruajnë e qytetarëve mbi 10-vjeç, është 1.5 për qind.
Të dhëna të detajuara në lidhje me analfabetizmin ende nuk janë publikuar nga ASK-ja. Në një tjetër statistikë është publikuar edhe përqindja e grave analfabete. Numri i grave që nuk dinë lexim e shkrim është gjashtë për qind më e vogël sesa në vitin 2011. Përqindja e grave në mesin e analfabetëve para trembëdhjetë vjetësh ishte 79.70 për qind, ndërsa sipas regjistrimeve të fundit është 73.58 për qind.
Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, këtë rënie e vlerëson minimale. Sipas tij, rënia është shënuar për shkak të ndryshimeve të gjeneratave.
“Përgjithësisht trendi i raportuar nga ASK-ja është shqetësues, pasi që prezanton një masë të qytetarëve, të cilët nuk dinë shkrim e lexim, tash sa kjo është përmirësuar në dhjetë vjetët e fundit në përqindje minimale, mund të jetë pa dyshim me karakter demografik brenda grup moshave, por në të njëjtën kohë na tregon që brenda grup moshave të reja dhe me gjasë për shkak të braktisjes së shkollës kemi prezencë të analfabetizmit”, ka thënë Qehaja.
Edhe ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se rënia e analfabetizmit është rezultat i përfshirjes më të lartë të gjeneratave të reja në sistemin e arsimit. Sipas tij, kategoria e analfabetëve e moshës 10-29 vjeç duhet të trajtohet me prioritet.
“Përderisa analfabetizmi në moshat e shtyra mund të konsiderohet si pasojë e rrethanave historike dhe duhet pranuar si i tillë, shqetësuese mbetet prania e analfabetëve midis fëmijëve dhe të rinjve, të cilët kanë pasur mundësi ta ndjekin shkollimin”, ka thënë Pupovci. “Analizat tematike që do të pasojnë do të ofrojnë një pasqyrë më të qartë për gjendjen e analfabetizmit në regjistrimin e vitit 2024, përfshirë shpërndarjen sipas grupmoshave. Ndërkohë, kategoria e analfabetëve të moshës 10-29 vjeç mbetet me prioritet të lartë dhe për ta duhet të ofrohen programe të veçanta për zhvillimin e aftësive bazë të leximit dhe shkrimit”, ka shtuar ai.
Sipas zëdhënësit të qeverisë, Përparim Kryeziu, rënia e analfabetizmit prej 1.5 për qind, është tregues i progresit të konsiderueshëm në fushën e arsimit.
“Sipas të dhënave të Regjistrimit të Popullsisë 2024, shkalla e analfabetizmi ka pësuar ulje prej 1.59 për qind – nga 3.85% (2011) në 2.27% (2024). Në vitin 2011 numri i përgjithshëm i popullsisë analfabete ishte 55 mijë banorë. Kurse në vitin 2024 ky numër ka rënë në 30,902 banorë. Kjo përfaqëson një ulje prej mbi 43% të numrit të banorëve të kategorizuar si analfabetë në 13 vjetët e fundit. Ky është tregues i përparimit të konsiderueshëm në fushën e arsimit”, ka thënë Kryeziu.
E në konferencën për media të dielën, kryeministri Albin Kurti ka thënë se analfabetizmi është më i shprehur te popullsia më e varfër dhe në zonat rurale. Sipas tij, cilësia e mësimnxënies te familjet e varfra është më e ulët, ndërsa në zonat rurale shkollat kanë cilësi më të dobët, pasi mësimdhënësit më të përgatitur zhvendosen në ato urbane.
“Një mënyrë kryesore se si ta luftojmë analfabetizmin është t’i nxjerrim njerëzit nga varfëria sepse disa familje që dy e tri breza më shumë janë të varfër, atëherë edhe fëmija e varfër mund të ngelin me mësimnxënie më të dobët ku ndoshta edhe shkolla nuk është prej ma të mirave në Kosovë, sepse mësimdhënësit më cilësor kanë lëvizur më shumë drejt qyteteve”, ka thënë Kurti.
Problemet me sistemin arsimor janë dëshmuar edhe në testimin ndërkombëtar të 15-vjeçarëve, PISA, ku nxënësit kosovarë janë renditur në pesë vendet e fundit, për lexim, matematikë e shkencë. Bazuar në rezultatet e testit PISA të publikuar para një viti, del se 83 për qind e nxënësve nuk mund të kuptojnë një tekst me gjatësi mesatare. E, 85 për qind e nxënësve në Kosovë nuk mund të zgjidhin një detyrë të thjeshtë matematikore./KOHA
E-Diaspora
-
Humor shqiptar në ekranin zviceran, Vedat Bajrami protagonist në “Te Berberi – rritet prap” Televizioni zviceran SRF nis transmetimin e një seriali të ri komedi që premton të sjellë humor...
-
Mbi 58 mijë votues të regjistruar jashtë Kosovës
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
Jeta në Zvicër
-
Disa qiramarrës zviceranë mund të presin qira më të ulëta në vitin 2025 Për qiramarrësit, ulja e fundit në normën bazë – e cila përcakton qiratë – është një...
-
Rritje e ndjeshme e aksidenteve në ski te të moshuarit
-
Badhütte, kasollja shekullore në Rorschach, shkatërrohet plotësisht nga zjarri
-
Qeveria paralajmëron për kushte të këqija të rrugëve, rrezik nga ortekët në Alpet zvicerane
-
Parfumi REMIX: Një inovacion zviceran me investitorë shqiptarë