Kriza në Ukrainë

Mbi 2 mijë fëmijë të rrëmbyer në Ukrainë

Të dhënat vijnë nga autoritetet ukrainase

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka ngritur akuza ndaj Rusisë se ka marrë me forcë në territorin e saj 2389 fëmijë nga Donetsk dhe Luhansk.

“Veprime të tilla janë një shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare, në veçanti e ligjit ndërkombëtar humanitar”, thuhet në deklaratë.

Në anën tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes tha të dielën se 16,434 persona, përfshirë 2,389 fëmijë u evakuuan nga Donbasi, transmeton Cnn, përcjell Albinfo.ch.

Këto zhvillime u komentuan këtë të martë edhe nga UNICEF, duke ngritur shqetësimin, edhe pse theksoi se ende nuk e ka verifikuar këtë pretendim nga Ukraina.

“Rrëmbimi i fëmijëve gjatë kohës së luftës është një nga gjashtë shkeljet e rënda ndaj fëmijëve në konflikt”, tha zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder.