Maqedonia

Maqedoni e Veriut: Mbi 150 mijë mërgimtarë të regjistruar

Referuar të dhënave të Entit Shtetëror për Statistika deri tani janë regjistruar 153.574 mërgimtarë që jetojnë përkohësisht jashtë vendit, përcjell albinfo.ch.

Këto shifra janë deri në ditën e premte, ndërsa numri i mërgimtarëve të vetregjistruar pritet të rritet gjatë fundjavës kur janë në pushime.

Përmes aplikacioni regjistrohen shtetasit e Maqedonisë së Veriut, të cilët qëndrojnë jashtë vendit, për shkak të punës apo shkaqeve të tjera, deri dhe më gjatë se 12 muaj. Procesi i vetëregjistrimit filloi më 1 mars, ndërsa do të zhvillohet deri më 21 prill 2021.

Prej 1 marsit deri më 15 mars u regjistruan edhe të punësuarit në përfaqësitë diplomatike-konsullare dhe anëtarët e familjeve të tyre të cilët qëndrojnë me ta jashtë vendit, shtetasit e Maqedonisë së Veriut me punë në Kombet e Bashkuara dhe organizatat e saj, përfaqësitë apo përfaqësues të odave ekonomike jashtë vendit, njësitë afariste jashtë vendit, përfaqësitë ushtarake të Armatës së RMV-së jashtë vendit dhe qytetarët që janë të angazhuar në bazë të bashkëpunimit ndërkombëtar, teknik apo tjetër, si dhe anëtarët e familjeve/amvisërive të tyre që qëndrojnë jashtë vendit me personat e cekur si dhe të gjithë personat – shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët në çfarëdo baze qëndrojnë jashtë shtetit, pa marrë parasysh periudhën e tyre të qëndrimit.

Regjistrimi i popullatës në vend do të zbatohet prej 1 deri më 21 prill 2021. Enti shtetëror për statistika publikoi edhe konkurs të tretë plotësues për angazhimin e personave të cilët do të marrin pjesë në zbatimin e Regjistrimit të popullatës, amvisërive dhe banesave në RMV, për të cilin kandidatët e interesuar duhet të paraqiten deri më 20 mars 2021.