Lajme

Mbi 10,000 emigrantë vdiqën këtë vit gjatë përpjekjes për të arritur në Spanjë përmes detit

Më shumë se 10,000 emigrantë vdiqën gjatë përpjekjes për të arritur në Spanjë përmes detit këtë vit, thuhet në një raport të publikuar të enjten nga një grup spanjoll për të drejtat e migracionit.

Mesatarisht, kjo do të thotë se 30 migrantë kanë vdekur çdo ditë këtë vit, duke u përpjekur të arrinin në vend me varkë, thuhet në raportin e “Caminando Fronteras”.

Vdekjet e përgjithshme u rritën 58% krahasuar me vitin e kaluar, thuhet më tej në raport.

Dhjetëra-mijëra emigrantë u larguan nga Afrika Perëndimore në vitin 2024 për në Ishujt Kanarie, një arkipelag spanjoll afër bregut afrikan që është përdorur gjithnjë e më shumë si një vend kalimi drejt Evropës kontinentale, raporton The Guardian.

“Caminando Fronteras” thotë se shumica e 10,457 vdekjeve të regjistruara deri më 15 dhjetor ndodhën përgjatë atij kalimi, të ashtuquajturës Rrugë Atlantike, e konsideruar si një nga më të rrezikshmet në botë.

Organizata përpilon shifrat e saj nga familjet e emigrantëve dhe statistikat zyrtare të të shpëtuarve.

Ato përfshijnë 1,538 fëmijë dhe 421 gra në mesin e të vdekurve. Prilli dhe maji ishin muajt më vdekjeprurës, thuhet në raport.

Në shkurt, Spanja premtoi 210 milionë euro ndihmë për Mauritaninë për ta ndihmuar atë të godasë kontrabandistët e qenieve njerëzore.

Ministria e Brendshme e Spanjës thotë se më shumë se 57,700 emigrantë arritën në Spanjë me anije deri më 15 dhjetor të këtij viti, një rritje afërsisht 12% nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Shumica dërrmuese e tyre erdhën përmes Rrugës së Atlantikut.