Botë

Mbi 1 milion euro përfitime nga tarifa e hyrjes së vizitorëve në Venecia

Më 25 prill Venecia filloi zbatimin e tarifës për hyrjen në qytet, për udhëtarët ditorë. Periudha e provës për këtë tarifë përfshin 29 ditë në maj, qershor dhe korrik – duke përfshirë fundjavat dhe festat publike.

Masa u vendos, për të ulur numrin e vizitorëve, që qëndrojnë vetëm për një ditë, të cilët i sjellin më pak përfitim ekonomik qytetit, sesa turistët që qëndrojnë një ose më shumë netë, si dhe shkaktojnë probleme si mbipopullimi.

Megjithatë, shumë banorë të Venecias e kanë kritikuar taksën e hyrjes si joefektive në kontrollin e numrit të vizitorëve, ndërsa dënojnë Këshillin e qytetit për shpërfilljen e çështjeve kritike, si strehimi.

Gjatë 11 ditëve të para, që tarifa e vizitorëve ishte në fuqi – nga 25 prilli deri më 5 maj – qyteti shiti 195,000 bileta, duke mbledhur një total prej 977,430 €.

Shuma i tejkaloi pritjet, por është ende më pak se kostoja e ngritjes së sistemit të rezervimit online, fushatave informative dhe kontrollit të biletave – 3 milionë euro, sipas gazetës italiane Corriere della Sera.

Pas periudhës së provës, tarifa mund të rritet në 10 € në ditë. Ka edhe gjoba deri në 300 euro, për ata që tentojnë të vizitojnë pa biletë.

Tarifa e hyrjes në Venecia nuk ka ulur numrin e turistëve

Deri më tani, projekti pilot, nuk ka rezultuar në ulje të numrit të turistëve. Një këshilltar i qytetit për Venecian e ka quajtur masën një dështim.

“Masa e biletave të hyrjes në Venecia ka dështuar keq, sepse numrat tregojnë, se bileta në asnjë mënyrë, nuk e ka ulur fluksin e turistëve, apo nuk ka penguar ardhjet, por përkundrazi, të ardhurat janë numerikisht superiore në krahasim me vitet e mëparshme”, tha Giovanni Andrea Martini, i grupit të Këshillit të qytetit All The City Together.

Më 19 maj 2024, kishte 70,000 hyrje, ndërsa vitin e kaluar më 2 qershor, festë kombëtare në Itali, u regjistruan vetëm 65,000.

“Sot qyteti është i mbyllur, për shkak të vullnetit politik të një administrate, që me këtë masë ka sjellë para, por nuk i ka shpëtuar shpirtin qytetit”, shtoi Martini.

“Venecia është rrënuar, sepse është braktisur, ose më mirë, thjesht është përdorur për të sjellë para”.

Si të shmangni pagesën e tarifës së re të hyrjes në Venecia

Disa faqe lajmesh, kanë publikuar artikuj, që shpjegojnë mënyrat se si vizitorët, mund të shmangin pagesën e tarifës së re.

Gazeta britanike The Guardian, vë në dukje se mbështetësit e ekipit të futbollit të Venecias, mund të ndjekin ndeshjet në qytet, pa pasur nevojë të paguajnë 5 euro.

Banorët, që kundërshtojnë biletën e hyrjes, kanë vënë në dukje një mënyrë tjetër për të shmangur tarifën.

Vizitorët e ftuar në Venecia nga banorët e qytetit, të cilët i japin atyre një kod, përjashtohen nga tarifa.

Disa aktivistë, thuhet se kanë krijuar një faqe interneti jozyrtare, për të lehtësuar ndarjen e kodeve të miqve me udhëtarët ditorë.