Lajme

Mbetjet e tepërta të fungicideve mund të dëmtojnë ujërat nëntokësore në Zvicër

Mbetjet e klorothalonilit, një fungicid bujqësor i ndaluar në Zvicër për shkak të rreziqeve kancerogjene, janë ende shumë të larta në ujërat nëntokësore, nga të cilat merret pjesa më e madhe e ujit të pijshëm.

Rajonet bujqësore të Rrafshnaltës Qendrore, e cila përdoret intensivisht për bujqësi dhe ku jetojnë shumica e njerëzve në Zvicër, janë veçanërisht të prekura, tha të martën Zyra Federale për Mjedisin, përcjell albinfo.ch.

Katër metabolitë klorothalonil (substanca të ndërmjetme të prodhuara gjatë degradimit të fungicidit) u gjetën të pranishme në ujërat nëntokësore në përqendrime që tejkalojnë kufirin ligjor prej 0,1 mikrogram për litër ujë të pijshëm. Matjet janë bërë në vitin 2020.

Meqenëse ujërat nëntokësore, nga të cilat merret 80% e ujit të pijshëm në Zvicër, kërkojnë një kohë relativisht të gjatë për t’u rinovuar dhe metabolitët e klorothalonilit janë shumë të qëndrueshme, “mund të supozohet se këta ndotës dëmtojnë ndjeshëm ujërat nëntokësore për shumë vjet”, paralajmëroi Zyra e mjedisit, përcjell tutje albinfo.ch.