Lajme

Gjenevë: Është mbajtur Seminari “Parandalimi shpëton jetë”

Njoftimi nga Kryesia e Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër

Të dielën, më 26 janar 2025, në auditoriumin e Spitalit Universitar të Gjenevës, u zhvillua me sukses seminari senzibilizues për bashkatdhetarët, i organizuar nga Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, me fokus në parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, me moton «Parandalimi shpëton jetë». Ky aktivitet mblodhi bashkatdhetarë të shumtë, të cilët patën mundësinë të dëgjojnë ligjërata të rëndësishme nga profesionistë të fushës dhe të informohen më shumë mbi tematika shëndetësore me rëndësi për komunitetin.

Në Seminar, ishte e pranishme edhe Konsulja e Republikës së Kosovës në Gjenevë, znj. Floreta Kabashi.

Referuesit dhe temat e trajtuara ishin si më poshtë:

Prof. Dr. Alban Y. Neziri, gjinekolog onkolog, Langenthal: “Rëndësia e zbulimit të hershëm në trajtimin e kancerit të gjirit”

Dr. med. Granit Molliqaj, neurokirurg, Gjenevë: “Parandalimi dhe trajtimi i frakturave osteoporotike të boshtit kurrizor”

Dr. med. Durrsim Ramadani, urolog, Nyon: “Kanceri i prostatës”

Dr. med. Mentor Bilali, gastroenterolog, Langental: “Koloskopia preventive dhe parandalimi i kancerit të zorrës së trashë”

Dr. med. Adelina Ameti, specialiste FMH-së, në endokrinologji/diabetologji, interniste, Lozanë: “Parandalimi i diabetit dhe sëmundjeve metabolike”

MSC. med. dent. Gazmend Haliti, stomatolog, St. Gallen: “Paradontiti dhe rëndësia e kujdesit për dhëmbët”

Seminari u moderua nga znj. Mirishahe Limani-Hiler dhe med. dent. Alban Zeqiri dhe u karakterizua nga një interesim i madh i të pranishmëve, të cilët kontribuan me pyetje dhe diskutime të vlefshme.

“Falënderojmë veçanërisht znj. Mirishahe Limani dhe kolegun Dr. med. Granit Molliqaj për mbështetjen e çmuar në organizimin e këtij seminari.

Takimi u mbyll me një minutë heshtje në kujtim të kolegut tonë të ndjerë, Dr. med. Sami Dalipi, duke shprehur nderim dhe mirënjohje për kontributin e tij në fushën e mjekësisë dhe komunitetit shqiptar në Zvicër.

Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër falënderon të gjithë pjesëmarrësit dhe fton bashkatdhetarët që të jenë pjesë e aktiviteteve të ardhshme”, thuhet në njoftim.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch