Lajme

Mbahet Kuvendi Zgjedhor i PSHDK-së në Vjenë, Anton Marku zgjidhet kryetar

Në prezencën e 46 delegatëve dje në Vjenë u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK), dega në Vjenë. Në emër të anëtarësisë dhe të këshillit iniciues për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor të degës së PSHDK në Vjenë takimin e hapi Anton Marku, i cili pasi përshëndeti të pranishmit konstatoi se ekziston kuorumi i nevojshëm për mbajtjen e këtij Kuvendi, duke marrë për bazë faktin se në sallë kishte 46 delegatë, transmeton albinfo.at.

Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti Arbër Prenaj, anëtar i kryesisë qendrore të PSHDK dhe kryetar i degës së PSHDK në Prishtinë, i cili në këtë Kuvend mori pjesë në cilësinë e vëzhguesit dhe të deleguarit nga Kryesia Qendrore e PSHDK.

Në Kuvend u theksua se në bazë të kërkesës së anëtarësisë, në pjesën e parë të këtij viti ka filluar së funksionuari këshilli iniciues, i cili ka organizuar disa takime dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij Kuvendi. Më tutje u tha se ky Kuvend është rezultat i një përkushtimi të dashamirëve të idesë demokristiane, e cila bazohet në të drejtat universale të njeriut të cilat në themel ka civilizimin perëndimor.

Më pas Kuvendi miratoi me aklamacion dhe në mënyrë unanime listën e anëtarëve të Kryesisë së re të degës së PSHDK në Vjenë, ndërsa kryesia e re u tërhoq për të zgjedhur strukturat e saj udhëheqëse. Ajo ka këtë përbërje:

  • Anton Marku, kryetar
  • Roland Kokollari, nënkryetar i parë
  • Samson Ndrejaj, nënkryetar i dytë
  • Marte Marku, sekretare
  • Luan Dedaj, arkëtar
  • Mark Gjuraj, anëtar
  • Gent Krasniqi, anëtar
  • Zoje Deda, anëtare
  • Robert Morina, anëtar
  • Filip Prenkolnikaj, anëtar

Kryesia e re po ashtu propozoi edhe emrat e tre delegatëve (nga pesë gjithsejtë) që do të përfaqësojnë degën e PSHDK në Vjenë në Kuvendin Zgjedhor të PSHDK në Kosovë, si më poshtë:

  1. Kastriot Deda
  2. Bernard Kerhani
  3. Filip Prenkonikaj

Kryetari i ri Anton Marku pasi falënderoi delegatët dhe kryesinë për besimin e dhenë theksoi se disa nga detyrat që e presin kryesinë e re do të ishin: njoftimi dhe sensibilizimi i anëtarëve dhe përkrahësve për regjistrim për zgjedhjet e ardhshme nacionale në Kosovë, mbështetja e fushatës zgjedhore të PSHDK në Kosovë, mobilizimi i anëtarësisë për dalje sa më masovike në zgjedhje, etj.