Lajme

Maurer provokon për pasuesin e tij: “Me rëndësi të mos jetë transgjinor”

Përderisa nuk është një `ai-ajo, është mirë", ka thënë ai, duke menduar për personat transgjinorë ose homoseksualët. Deklarata ka ngjallur reagime

Ministri federal në dorëheqje, Ueli Maurer thotë se ai nuk ka ndonjë preferencë për sa i përket gjinisë së pasardhësit të tij – “përderisa nuk është një “ai-ajo”, është mirë”, ka thënë ai, duke menduar për personat transgjinorë ose homoseksualët, transmeton albinfo.ch. Kjo deklaratë e tij ka ngjallur reagime të ndryshme.

Maurer kishte caktuar në mënyrë të befasishme një konferencë për media të premten. Me atë rast politikani 71 vjeçar ka njoftuar dorëheqjen e tij: ministri i financave dëshiron të largohet nga Këshilli Federal, në fund të vitit.

“Nuk ka shumë rëndësi për mua nëse pasardhësi im është një grua apo një burrë – për sa kohë që nuk është një “Ajo”, është mirë,” thotë Maurer i pyetur nëse gjinia e pasuesit të tij luan ndonjë rol.

I pyetur nga 20 minuten, Departamenti Federal i Financave nuk pranoi të komentonte deklaratën e ministrit Maurer.

Ndërkaq, në Twitter, reagimet për këtë deklaratë janë të përziera. Marco Vogt, anëtar i bordit të SVP Stäfa, thotë me entuziazëm: “Një perlë nga këshilltari federal Ueli Maurer për dorëheqjen”.

Roman Heggli, menaxher i organizatës LGBTQ Pink Cross, thotë për “ZüriToday” se deklarata ishte “e marrë” dhe gjithashtu tregon se si Ueli Maurer nuk ka endtuziazëm për  asgjë, përcjell albinfo.ch. “Të merresh me shoqërinë moderne nuk është puna e tij”, thotë Heggli.