Lajme

Maska dhe distancimi social mund të zgjasin për disa vite

Maskat dhe distancimi social, dy nga masat që u aplikuan në të gjitha vendet e botës prej fillimit të pandemisë së Covid-19, mund të zgjasin edhe për disa vite. Paralajmërimi është bërë nga epidemiologia e Shëndetit Publik në Angli, Mary Ramsay, sipas të cilës, maskat dhe distancimi fizik mund të vazhdojnë të aplikohen deri sa të gjitha shtetet të vaksinojnë pjesën më të madhe të popullsisë.

“Njerëzit janë mësuar me këto kufizime dhe tani mund të jetojnë me to, edhe ekonomia mund të vazhdojë të funksionojë me këto pak kufizime. Kështu që mendoj se edhe për disa vjet, të paktën deri sa vendet e tjera të botës të vaksinohen po aq mirë sa ne dhe numrat e infektimeve të kenë rënë, të mund të kthehemi gradualisht në situatën normale”, është shprehur epidemiologia Ramsay, raporton BBC.

Megjithatë, ajo bën thirrje që si Britania ashtu dhe shtetet e tjera, të mos ulin vigjilencën dhe të mos heqin kufizimet në mënyrë të menjëhershme. Autoritetet britanike po shqyrtojnë edhe mundësinë e ndalimit të shtetasve anglezë që të shkojnë jashtë vendit për pushime, por ende nuk ka asgjë zyrtare.