Lajme

Mashtruesit vodhën mbi 3.4 miliardë dollarë nga të moshuarit në 2023

Mashtruesit vodhën më shumë se 3.4 miliardë dollarë nga amerikanët e moshuar vitin e kaluar, tha FBI-ja të martën. Raporti i FBI-së tregon një rritje në humbjet nga taktikat kriminale gjithnjë e më të sofistikuara, që përdoren për të mashtruar të pambrojturit, duke u vjedhur atyre kursimet.

Humbjet nga mashtrimet e raportuara nga amerikanët mbi moshën 60 vjeç vitin e kaluar u rritën me 11% krahasuar me një vit më parë, sipas raportit të FBI-së. Hetuesit po paralajmërojnë për një rritje të skemave mashtruese të vjedhjes nga llogaritë bankare, madje edhe nëpërmjet dërgimit të korrierëve për të mbledhur para apo ar nga viktimat.

“Mund të jetë një ndikim shkatërrues për amerikanët e moshuar, të cilët nuk kanë aftësi për të punuar”, tha zëvendës ndihmësdrejtori i Divizionit të Hetimeve Kriminale të FBI-së, James Barnacle. “Njerëzit humbasin të gjitha paratë e tyre. Disa njerëz bëhen të varfër.”

FBI mori më shumë se 100 mijë ankesa nga viktimat e mashtrimeve të moshës mbi 60 vjeç vitin e kaluar, me gati gjashtë mijë njerëz që humbën më shumë se 100 mijë dollarë. Kjo pason një rritje të madhe të humbjeve të raportuara nga amerikanët e moshuar në dy vitet pas pandemisë së koronavirusit të vitit 2020, kur njerëzit ishin të izoluar në shtëpi dhe mashtruesit i kontaktonin ata më lehtë përmes telefonit.

Zoti Barnacle tha se hetuesit po shohin një rritje të grupeve kriminale të organizuara, duke i vënë në shënjestër amerikanët e moshuar përmes një sërë skemash, si mashtrimet romantike dhe mashtrimet përmes skemave të investimeve.

Mashtrimi më i zakonshëm i raportuar nga të moshuarit vitin e kaluar ishte mashtrimi me mbështetjen e teknologjisë, në të cilin kriminelët pozojnë përmes telefonit si përfaqësues teknikë ose të shërbimit ndaj klientit. Në një mashtrim të tillë, që autoritetet thonë se po përhapet shumë, kriminelët imitojnë kompanitë e teknologjisë, bankat dhe zyrtarët qeveritarë për të bindur viktimat se hakerat e huaj kanë ndërhyrë në llogaritë e tyre bankare dhe i udhëzojnë ata t’i mbrojnë paratë e tyre, duke i transferuar ato në llogari të reja bankare, të kontrolluara fshehurazi nga mashtruesit.

Hetuesit federalë panë një rritje midis majit dhe dhjetorit të mashtruesve që përdornin korrierë të drejtpërdrejtë për të marrë para nga viktimat që besonin se llogaritë e tyre ishin komprometuar, sipas FBI. Në ato raste, mashtruesit u thonë viktimave se llogaritë e tyre bankare kanë qenë në shënjestër të sulmeve kibernetike dhe se duhet të likuidojnë pasuritë e tyre në para, ose të blejnë ar, ose metale të tjera të çmuara, për të mbrojtur fondet e tyre. Pastaj mashtruesit dërgojnë një korrier për t’i marrë ato personalisht.

“Shumë nga skemat e mashtrimit u kërkojnë viktimave të dërgojnë para nëpërmjet një transferimeve bankare, apo transferimit në kripto-monedha. Kur viktima heziton ta bëjë këtë, atyre u jepet një alternativë”, tha zoti Barnacle. “Dhe kështu mashtruesi fut në përdorim shërbimet e korrierit.”

Në fillim të këtij muaji, një burrë 81-vjeçar nga Ohajo qëlloi për vdekje një shofer taksie, sepse ai mendonte se shoferi po përpiqej ta grabiste pasi para mbërritjes së taksisë mori telefonata mashtruese, thanë autoritetet.

Burri kishte marrë telefonata nga dikush që pretendonte të ishte një oficer nga gjykata lokale, i cili kërkonte para. Shoferit të taksisë u ishte thënë të merrte një pako nga shtëpia e burrit, një kërkesë që autoritetet thonë se mund të ishte bërë nga i njëjti telefonues mashtrues ose një bashkëpunëtor i tij.

Humbjet e mëdha të raportuara të amerikanëve të moshuar ka të ngjarë të jenë më të vogla se sa shifrat reale. Vetëm rreth gjysma e më shumë se 880 mijë ankesave të raportuara në Qendrën e FBI-së për Krimin në Internet vitin e kaluar përfshinin informacion mbi moshën e viktimës./VOA