Lajme

Mashtroi shumë austriakë me “Call Centre”, dënohet kosovari me 18 muaj burgim

Gjykata e Salzburgut dënoj kosovarin 33 vjeçar për mashtrimin e 39 klientëve austriakë në vlerë 1.24 milionë euro.

“Call Centre” është përhapur në shumë shtete të botës, shumë prej tyre janë edhe jo të licencuara. Në Kosovë ka qindra “Call Centre” që shumë prej tyre janë jo të licencuara dhe veprojnë shpeshherë edhe me mashtrime ndaj blerësve të huaj, shkruan albinfo.at.

Së fundmi raportohet për një kosovar 33-vjeçar që ka mashtruar 39 klientë austriakë duke u marrë 1.24 milionë euro.

Lidhur me këtë rast, autoritetet e drejtësisë së Austrisë, Gjykata e Salzburgut e dënoi kosovarin me 18 muaj burgim për pjesëmarrje në një mashtrim kibernetik.

Akuzat ndaj tij janë se kosovari ka punuar në “Call Centre” në Prishtinë dhe ka dëmtuar 39 austriakë, duke iu marrë 1.24 milionë euro, ndërsa nëse përfshihen edhe klientët në Gjermani e Zvicër, vlera e dëmit shkon deri 2.4 milionë euro, informon tutje albinfo.at.

“I akuzuari qëndronte në një Call center në Prishtinë; shumë të tjerë ‘agjentë’ të tillë vepronin në Call center në Pragë apo Sofje. Këto Call center formonin një platformë mashtruese tregtare online të njohur ‘Option888’. I akuzuar, më parë i trajnuar mirë, ndërtoi me mjeshtëri marrëdhënie të mira me investuesit. Ai dukej me reputacion, me përvojë të shtirur në këmbimore dhe kishte detyrë që të bindte klientët të investonin sa më tepër të jetë e mundur”, u tha në akuzën e Prokurorisë.

Ndërkohë, lidhur me këtë kompani, thuhet se shumë totale sa ky rrjet kriminel ka mashtruar klientët, kryesisht në Evropën Perëndimore, është afro 250 milionë euro.

Kosovari 33-vjeçar ishte arrestuar dhe gjendej në paraburgim nga tetori i vitit 2021. Ai ishte i ashtuquajtur “agjent”. Nën pseudonimin Sebastian Morelli, thuhet se 33-vjeçari joshi investues të shumë gjermanofolës, të cilët ishin regjistruar në platformën tregtare mashtruese për të depozituar fonde atje.

Organizata kriminale kishte një softuer të sofistikuar që të linte përshtypje të tregtimit të vërtetë të fondeve të investuara, thuhet në raportin e prokurorisë.

“Ky softuer rekomandohej që klienti ta instalonte dhe agjenti ishte në gjendje të hynte në të. Në fakt, paratë e investuara – shuma katër deri gjashtë shifra – dërgoheshin shpejt në llogari të ndryshme që u përkisnin kriminelëve”, thuhet nga Prokuroria.

Akuza për mashtrimin e 39 austriakëve nga prilli i vitit 2017 deri në janar të vitit 2018, duke ua vjedhur 1.24 milionë euro. E duke llogaritur edhe klientë në Gjermani e Zvicër, shifrat shkojnë në 2.4 milionë euro.

“I akuzuari ishte vetëm njëri në një numër jo aq të vogël në rrjetin kriminal”, thuhet nga Prokuroria.

Në Salzburg po gjykohen edhe tre persona që kishin pozita drejtuese në rrjetin kriminal. Kosovari 33-vjeçar ka thënë se është penduar.

“E lashë veten të punësohem aty shkaku i borxheve. Më vjen keq që kam dëmtuar kaq shumë njerëz. Më vjen shumë turp”, tha kosovari, shkruan “Salzburg Nachrichten”.

Avokati i tij mbrojtës, Simon Haussler, ka thënë se klienti i tij ishte vetëm “një rrotë e vogël në këtë konstrukt”. Ai u dënua me 18 muaj burgim. /Albinfo.at