Bota

Masakër në klubin e homoseksualëve: 50 të vrarë

Autori i sulmit është vrarë nga policia në vendin e ngjarjes. Ende nuk është sqaruar në tërësi nëse bëhet fjalë për ndonjë sulm terrorist, deklarojnë në polici

Një masakër e rëndë ka ndodhur sot në një klub të homoseksualëve në Orlando të shtetit amerikan, Florida. Së paku 50 veta kanë rënë viktimë e këtij sulmi të tmerrshëm ndërsa 53 të tjerë kanë pësuar lëndime, ka thënë për mediat amerikane kryebashkiaku i Orlandos.

Autori i sulmit ndërkaq është vrarë nga policia në vendin e ngjarjes. Ende nuk është sqaruar në tërësi nëse bëhet fjalë për ndonjë sulm terrorist, deklarojnë në polici. Ndërsa policia federale FBI ka filluar hetimet në këtë drejtim.

Sipas të dhënave policore, dorasi ka hapur zjarr në klubin e përmendur rreth orës 2 të pas mesnatës dhe pastaj ka marrë peng ata që ndodheshin brenda. Tri orë pas kësaj, policia ka vendosur të çlirojë pengjet nga dhuna e pengmarrësit. Thuhet se një numër personash kanë humbur jetën gjatë ndërhyrjes së policisë.