Shkurt.ch

Masa speciale për azilkërkuesit e rrejshëm nga Serbia

Tre fish më shumë shtetas serbë kanë kërkuar azil në Zvicër, krahasuar me 6 muajt e një viti më parë, ose plot 965 sish!

965 shtetas të Serbisë kanë kërkuar azil në Zvicër vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Ky numër është sa trefishi i periudhës së njëjtë të një viti më parë. Një numër tepër i madh për një vend dhe një regjion, si Ballkani, që Zvicra dhe BE ka kohë që e ka futur në kategorinë e “vendeve të sigurta”.

Kjo gjendje, kur duke e ditur se shanset për të fituar azilin për këta persona janë të barabarta me zero, kanë shtyrë drejtorin e Zyrës Federale për Migracion, Mario Gattiker të kërkojë veprim të shpejtë. Trajtimi me procedurë të shpejtuar i lëndëve të shtetasve të Serbisë   do të ishte një hap i duhur në këtë drejtim, ka thënë Gattiker për gazetën “SonntagsBlick”. 

Një masë plotësuese në drejtim të demotivimit të tyre për të kërkuar strehim në Zvicër është një projekt pilot i BFM-së. Në Pratteln janë strehuar në një strehimore shtetasit serbë, kërkues të azilit dhe në po atë vend është zhvilluar edhe procedura e kërkimit të azilit. Njëkohësisht janë zhvilluar edhe bisedimet për kthim të këtyre azilkërkuesve.

Një masë tjetër frikësuese që ka propozuar Gattiker është vendosja e ndalesës për hyrje në Zvicër të një kategorie të përkufizuar qartë të personave. Kështu, nuk do të kishin të drejtë të hyjnë në procedurë të azilit njerëzit që kanë ardhur më parë pa vizë në Zvicër, kanë bërë një kërkesë azili këtu dhe për të cilët është dëshmuar se kanë marrë ndihma sociale në mënyrë abuzive.

Kjo ndalesë do të duhej të praktikohej edhe nga vendet tjera të Zonës së Schengenit.