Tematike
Martesat me bashkëkombës-e: pre e paragjykimeve
Në studimin “Martesa transnacionale në Zvicër” bëhet fjalë për martesat e personave të lindur ose të rritur në Zvicër me dikë nga vendi i prejardhjes së prindërve të tyre. Albinfo.ch ka biseduar me bashkautoren e studimit, Shpresa Jasharin
Martesat transnacionale, një emërtim, në dukje abstrakt për një dukuri aq konkrete dhe të njohur nga secili dhe secila: Është fjala për martesat e personave me prejardhje të huaj që jetojnë në Zvicër me një partner/e nga vendi i prejardhjes së tyre.
Ky fenomen është objekt i projektit studimor me titull pune “Martesat transnacionale në Zvicër”, pjesë e të cilit është edhe studiuesja me prejardhje nga Kërçova, Shpresa Jashari. Shpresa ka magjistruar në lëndën e gjermanistikës, politologjisë dhe të drejtave ndërkombëtare në universitetin e Cyrihut dhe tani është doktorante e antropologjisë në Universitetin Neuchatel.
“Në studimin “Martesa transnacionale në Zvicër” bëhet fjalë për martesat e personave të lindur ose të rritur në Zvicër me dikë nga vendi i prejardhjes së prindërve të tyre. Kjo temë ka disa vite që në Zvicër debatohet në mënyra shumë kundërthënëse dhe që nuk trajtohet më si çështje private. Ajo është bërë temë e politikës. Projekti po realizohet në Universitetin Neuchatel dhe është financuar nga Fondi Nacional i Zvicrës (SNF). Ekipi përbëhet nga Prof. Janine Dahinden, Joëlle Moret dhe unë”, thotë Shpresa Jashari, bashkautore e studimit të filluar rishtas.
“Ne kemi filluar me intervistat e para dhe që tash po shihet se sa kompleks dhe shumështresor është fenomeni – krejtësisht në kundërshtim me diskurset shpesh të njëanshëm dhe stereotipikë që janë në qarkullim. Projekti ka filluar mirë; por ne jemi vetëm në fillim dhe natyrisht, kërkojmë partnere dhe partnerë të tjerë për intervistim”, plotëson Shpresa Jashari.
Studimi synon që personat e prekur t`i bëjë të flasin vetë për veten
Emocionet të cilat e shoqërojnë debatin për martesat e aranzhuara ose martesat me detyrim, sigurisht e kanë bërë më të ngutshme nevojën për një trajtim shkencor të kësaj teme. Me këtë pajtohet edhe bashkautorja e studimit.
“Patjetër se e kanë bërë. Kur një temë arrin të ngjallë një kërshëri të tillë në diskursin publik dhe kur ajo në agjendën politike figuron e lidhur me detyrimin, konfliktin dhe keqtrajtimin, është me rendësi përcaktuese që ajo të shikohet më saktësisht dhe që fenomeni fillimisht të kuptohet. Për bashkëjetesën shoqërore në përgjithësi dhe për politiken në veçanti është me rëndësi që debatet publike të rrjedhin mbi një bazë solide informatash dhe që çiftet transnaconale të mos futen në mënyrë paushalle nën dyshimin për keqpërdorim”, thotë me tutje znj. Jashari.
Studimi synon që personat e prekur t`i bëjë që të flasin vetë për veten: Si e rrëfejnë ata historinë e vendit të tyre? çfarë është, sipas pikëpamjes së tyre, e rëndësishme në zgjedhjen e partnerit/es? Sa varet kjo nga kontekstet politike, juridike, ekonomike ose diskurset në Zvicër por edhe në vendin e prejardhjes? Ky fokusim mbi perspektivën e personit të prekur mundëson që të transmetohen praktika sociale, strategji dhe përfaqësime që lidhen me martesat transacionale. Krahas kësaj bëhet e mundur që të kuptohen përmbledhje komplekse të kushteve, në të cilat ato janë të ndërlidhura: politika restriktive për migracionin, politizimi dhe kulturalizimi i gjendjeve problematike sociale.
Duke folur për “target grupet” që synon studimi, bashkëbiseduesja jonë shprehet: “Ne nuk lidhemi me ndonjë grup të caktuar etnik ose nacional. Prandaj ne kërkojmë partnere dhe partnerë për intervistim te të cilët martesa transnacionale është duke rrjedhur ose që tashmë është përmbyllur, ashtu sikurse edhe persona që janë ndarë nga një partneritet i tillë. Nga njëra anë vijnë në shprehje personat të cilët – respektivisht prindërit e të cilëve – kanë migruar në Zvicër nga një vend jashtë BE-së dhe që janë rritur në Zvicër ndërsa në anën tjetër partneret/ët e këtyre personave. Format e marra në përgjithësi të këtyre martesave, si ato joproblematke ashtu dhe ato konfliktuoze janë me interes për kuptimin gjithëpërfshirës të martesave transnacionale ne Zvicër, gjë që ky studim po e synon, thotë Shpresa, e cila tërheq vërejtjen edhe nga vështirësitë që i dalin ekipit gjatë punës.
“Nuk është e lehtë në fakt që t`i bindësh njerëzit për t`i intervistuar. Kjo ka të bëjë edhe me paragjykimet ekzistuese, të përmendura më lartë, me të cilat përballen çiftet transnaconale. Por ne, në intervistat tashmë të realizuara kemi bërë përvoja shumë të mira dhe në mesin tonë mbretëron një atmosferë e shkëlqyeshme. Prandaj, ne u gëzohemi bisedave të mëtutjeshme.”
Jo prejardhja por konteksti social
Sa herë që bëhet fjalë për martesat e aranzhuara në mes të partnerëve me qëndrim në Zvicër dhe bashkëkombësve të tyre në vendin e prejardhjes, nuk shpëtojnë pa u përmendur shqiptarët. Prandaj dhe është e pashmangshme pyetja e drejtuar Shpresa Jasharit se sa janë në fokus të studimit shqiptarët dhe në këtë kontekst, a ka ndikuar edhe fakti se ajo është shqiptare, për t`u bërë pjesë e ekipit.
“Martesat transnacionale nuk kanë të bëjnë me kulturat, prejardhjet por te ato bëhet fjalë për procese sociale shumë komplekse. Kështu, për studimin tonë nuk ka ndonjë masë që të nxjerrim një komunitet të caktuar në kuptimin që të themi: Këta njerëz janë kështu dhe kështu. Por ajo që ne gjithsesi duam është që të intervistojmë ata persona që me të vërtetë janë të prekur nga diskursi rreth kësaj teme. Dhe këtu bëjnë pjesë, siç e thoni edhe ju me të drejtë, krahas njerëzve nga, le të themi Turqia, Sri Lanka ose Somalia, edhe ata nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria. Fakti se unë flas shqip, është me siguri një plus për studimin e të dhënave tona por unë shpresoj megjithatë shumë, se ka edhe arsye tjera për të më angazhuar në këtë projekt!”
Vendet për të cilat aludohet ose thuhet qartë se praktikojnë tipet e përmendura të martesave kanë elemente identifikuese të përbashkëta; fenë ose kulturën patriarkale. Cili element është më përcaktues për këtë dukuri?
“Pa marrë para sysh se ne ende nuk kemi realizuar analiza sistematike dhe rrjedhimisht nuk mund të shpallim rezultate, unë kam përshtypjen se fakti që po kërkoni arsyet për martesat e këtilla në kulturën apo religjionin e personave të përcaktuara po ashtu është një shembull për diskursin mosbesues lidhur me këtë temë, për të cilën ne bëmë fjalë më parë. Pastaj, veç kësaj mua më duhet ta bëj pyetjen bazike: A është diçka negative të dëshirosh të jesh bashkë me dikë që nuk është nga Zvicra?”
Cfarë roli luan “interesi”?
Duke ditur diferencën e madhe në standardin jetësor në mes të Zvicrës dhe vendeve “të dyshuara” prej nga vijnë partnerët/et e martesave transnacionale, a mund të thuhet se interesi personal (viza, mirëqenia në Zvicër etj.) ka një peshë për këto martesa, është pyetja e radhës.
“Unë mendoj se fjala “interes” në këtë rast nuk është më e qëlluara, kështu që ky koncept në këtë rast duhet vështruar në kuptimin e tij të dyfishtë: Interesi në kuptimin e atraktivitetit, kureshtjes, të shumtën shkon krahas interesit në kuptimin e të shikuarit te tjetri të përparësisë për veten. Natyrisht që në shoqëri ekziston edhe shfaqja e dashurisë romantike në të cilën interesi për tjetrin rritet vetëm nga ndjenja e pastër. Dhe pastaj, ka në anën tjetër edhe arsye të caktuara përse një person është interesant për tjetrin. Këto kritere për përzgjedhjen e partnerit veprojnë shpeshherë pavetëdijshëm, që ndryshe do të thotë se dashuria “ndodh” të shumtën brenda shtresës së njëjtë sociale. Këto kritere, të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, mund të jenë shumë të ndryshme si për shembull shkalla e caktuar e arsimimit, prestigji i bazuar në pamjen e caktuar të jashtme ose në profesionin e caktuar të partnerit, hobi ose interesat e caktuara apo siguria ekonomike (si brenda ashtu dhe jashtë vendit), një strukturë specifike familjare ose madje, kur të bëjmë fjalë për aranzhimin e martesave të familjeve mbretërore evropiane në shekujt e kaluar, edhe kalkulimi politik.
Po të shikojmë në rrethin ku jetojmë shohim se ka tepër pak çifte që pëlqejnë gjëra që janë plotësisht të ndryshme dhe që kanë pikëpamje krejtësisht të ndryshme për jetën e përbashkët si çift, apo jo? Dhe, këtu nuk bëjnë përjashtim as çiftet transnacionale”, përfundon Shpresa Jashari, bashkautore e studimit për martesat transnacionale.
Lutje për pjesëmarrje në projekt
A jeni të interesuar/a të merrni pjesë në studim ose mund të na ndihmoni duke na siguruar kontakte? E mirëpresim kontaktimin Tuaj në adresën: [email protected] ose telefonin: 032 718 14 65
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës