Zhvillim

Marrëveshje mes Kosovës dhe Agjencisë së Punësimit në Gjermani

Agjencia e Punësimit e Gjermanisë do të kontribuojë me përvojën e saj 90 vjeçare të menaxhimit të politikave të punësimit dhe do të ofrojë ekspertizë të çmuar në themelimin e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës

Kosova dhe Gjermania vazhdojnë të jenë alet në shumë sektorë dhe Gjermania vazhdon të ndihmojë Kosovën në fusha të ndryshme, raporton albinfo.ch.

 

Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe udhëheqësja e Departamentit Ndërkombëtar të Agjencisë së Punësimit në Gjermani, Kea Decker, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë së Punësimit në Gjermani.

 

Sipas njoftimit të ministrisë me këtë marrëveshje do të forcohet partneriteti ndërmjet dy institucioneve dhe njëherësh do të promovohen marrëdhënie të besueshme institucionale në zbatimin e aktiviteteve të përbashkëta që kanë të bëjnë me politikat e punësimit.

 

Agjencia e Punësimit e Gjermanisë do të kontribuojë me përvojën e saj 90 vjeçare të menaxhimit të politikave të punësimit dhe do të ofrojë ekspertizë të çmuar në themelimin e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës.

 

Gjatë vitit 2017, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Agjencia Gjermane e Punësimit, kanë planifikuar që të organizojnë seminare të përbashkëta, panaire të punës dhe trajnime.