Lajme

Marrëveshje Kosovë-Zvicër: 10 infermiere vijnë për punë praktike në Cyrih

Për herë të parë Zvicra ka nënshkruar një marrëveshje me Kosovën, me të cilën do t‘u mundësohet punë praktike 10 infermiereve në njërën prej qendrave kryesore për përkujdesje të personave të moshuar në Cyrih, në një periudhë 1-vjeçare.

Marrëveshjen e kanë nënshkruar të martën në Cyrih konsulli i Kosovës, Sali Sefa dhe Rene Zaug, zëvendësdrejtor i qendrave për përkujdesje të personave të moshuar (PZZ).

Me gjithë seleksionimin në Kosovë sipas marrëveshjes së nënshkruar, praktikantet do të vijnë në fund të janarit vetëm për 3 ditë punë provuese, ndërsa do të fillojnë punën praktike njëvjeçare në muajin prill. 

Konsulli i Kosovës, Sali Sefa, pasi u ka dorëzuar dosjet e 10 kandidateve që kanë kaluar seleksionimin në Kosovë, ka thënë të jetë i impresionuar me përgatitjen e tyre profesionale e gjuhësore.

Diplomati kosovar në Cyrih ka përcjellë falënderimet edhe të ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ka falënderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar në realizimin e këtij projekti.

Ai shpreson se ky bashkëpunim do të jetë vetëm fillimi dhe se projekte të ngjashme do të ketë edhe në të ardhmen.

Nga pala zvicerane Rene Zaug, zëvendësdrejtor i qendrave për përkujdesje të personave të moshuar (PZZ), ka premtuar se projekti do të realizohet me përpikmëri hap pas hapi, ngase hapat e ardhshëm tashmë janë konkretizuar dhe se kanë mbetur vetëm të vijnë infermieret nga Kosova në Zvicër.

“Për ne ky bashkëpunim është krejtësisht i ri dhe do të zbatohet me përgjegjësi. Prej fillimit dyert kanë qenë të hapura për kosovarët dhe kjo ka të bëjë me lidhjet tona speciale që i kemi me Kosovën. Kosova është e pranishme në Zvicër, ju e dini këtë më së miri“, tha Zaug.

„Është një projekt që e kemi realizuar me dëshirë. Ne jemi krenarë që për një kohë të shkurtër e kemi realizuar projektin në fjalë. Diçka kemi ngritur në këmbë, edhe pse në fillim është menduar si projekt i vështirë. Prej fillimit gjërat janë marrë me seriozitet. Hapat e ardhshëm janë konkretizuar. Ne presim që kandidatet që vijnë në Zvicër dhe të përshtaten mirë në punën e tyre praktike këtu“, tha pas nënshkrimit të marrëveshjes Rene Zaug.

Edhe udhëheqësja e personelit të qendrave për përkujdesje të personave të moshuar, Sabina Gan, tha të jenë përgatitur të gjitha procedurat që infermieret të vijnë nga Kosova në Zvicër dhe tashmë është sqaruar edhe çështja e vizave.

Nënshkrimit të marrëveshjes i ka paraprirë procesi i seleksionimit të kandidateve në Kosovë, të cilën e ka bërë Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale.

Për të qenë pjesë e këtij projekti interesimi ka qenë i madh në Kosovë, kanë thënë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme që kishin ardhur enkas për nënshkrimin e kësaj marrëvshjeje në Cyrih.

Jo më pak se 83 kandidate nga Kosova kanë konkurruar për 10 vende të punës praktike në Zvicër.

“Interesimi në Kosovë ka qenë shumë ie madh dhe fatmirësisht përgatitja e tyre profesionale dhe gjuhësore ka qenë mjaft e mirë, sepse është kërkuar niveli B2 i gjermanishtes në shkrim e lexim. Numri ka qenë i kufizuar dhe ne kemi përzgjedhur vetëm 10 që të vijnë për të përfituar nga përvojat zvicerane në shëndetësi. Shpresojmë në fazën e dytë të përfshihen më shumë kandidate”, tha Xhevdet Grainca nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Një projekt i këtillë po konkretizohet me ndihmën edhe të bashkatdhetarit tonë, dr. Bahri Rexha dhe specialistit zviceran të gjeriatrisë, dr. Held.

Ai është shprehur i lumtur se ky bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës ka përfunduar me sukses, duke shpresuar që projekte të tilla të ketë edhe në të ardhmen ndërmjet dy vendeve. 

“Më vjen shumë mirë që është arritur një marrëveshje e tillë, me të cilën u mundësohet infermiereve nga Kosova të vijnë në Zvicër për të përfituar përvoja në qendrat për përkujdesje të personave të moshuar”, tha Rexha.

10 kandidatet e përzgjedhura do të marrin një pagë të praktikantit prej 1799 frangash, ndërsa do ta kenë të siguruar edhe banimin.

Në të njëjtën kohë ato përvoja nga Zvicra do t’i bartin edhe në shtëpitë e pleqve në Kosovë.