Lajme
Marrëveshja për grurin dhe siguria globale e ushqimit
Një marrëveshje historike për të lejuar eksportet e drithërave nga Ukraina, e cila filloi sërish funksionimin të mërkurën pasi u pezullua për pak kohë, ka luajtur rol vendimtar në lehtësimin e një krize globale ushqimore të shkaktuar nga sulmi i forcave ruse në Ukrainë.
E ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia dhe e nënshkruar nga Moska dhe Kievi më 22 korrik, marrëveshja krijoi një korridor detar të mbrojtur për të lejuar rifillimin e dërgesave të grurit për herë të parë që nga fillimi i luftimeve në shkurt.
Ja çfarë dimë për marrëveshjen, e njohur si Iniciativa e Drithërave të Detit të Zi:
Pse ishte e nevojshme?
Kur trupat ruse e nisën sulmin në fund të shkurtit, Moska vendosi një bllokadë në portet e Detit të Zi të Ukrainës, duke ndaluar të gjitha eksportet bujqësore. Ukraina është një nga vendet me prodhimet më të mëdha të drithërave.
Lufta bllokoi 20 milionë tonë metrikë drithë të bllokuar në portet e Ukrainës, duke bërë që çmimet e ushqimeve të rriten në mbarë botën.
Para luftës, deri në 90% të eksporteve të grurit, misrit dhe lulediellit të Ukrainës transportoheshin duke shfrytëzuar rrugët detare, duke u nisur kryesisht nga Odesa. Shumë vende në zhvillim mbështeteshin në masë të madhe tek Kievi për furnizimin me grurë.
Çmimet e mallrave bujqësore ishin të larta para luftës për shkak të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë së virusit “COVID-19”. Por, konflikti e shtyu çmimin e drithërave si gruri dhe misri në nivele të papërballueshme për vendet që vareshin nga importi i tyre, si Egjipti, Libani dhe Tunizia.
Çfarë mbulon marrëveshja?
Marrëveshja siguron eksportin e sigurt të grurit, prodhimeve ushqimore dhe plehrave, përfshirë amoniakun, nga tre porte të Detit të Zi në Ukrainën jugperëndimore: Odesa, Chornomorsk dhe Pivdennyi.
Anija e parë e grurit që u largua sipas marrëveshjes së mbështetur nga OKB, u nis më 1 gusht.
Sipas shifrave të OKB-së që nga 1 nëntori, gjithsej 9.7 milionë tonë metrikë drithë dhe prodhime të tjera bujqësore janë transportuar në tre muajt e parë të marrëveshjes, shumica dërrmuese grurë dhe misër.
E vlefshme për 120 ditë, marrëveshja do të rinovohet më 19 nëntor në një proces që mund të bëhet automatikisht pa negociata të mëtejshme.
OKB-ja thotë se zgjatja e marrëveshjes është thelbësore për sigurinë globale të ushqimit dhe po kërkon që ajo të vazhdojë edhe për një vit.
Megjithëse nisma po funksionon mirë, dërgesat janë nga 40-50% më të ulëta në krahasim me periudhën para sulmit të Rusisë, thotë OKB.
Si funksionon marrëveshja?
Sipas faqes së internetit të OKB-së, marrëveshja krijon një korridor të sigurt midis tre porteve të Ukrainës dhe një zone në ujërat turke ku anijet inspektohen përpara se të lejohen të vazhdojnë udhëtimin e tyre.
Për të monitoruar marrëveshjen, një qendër e përbashkët komandimi dhe kontrolli u krijua në Stamboll për të mbikëqyrur operacionet dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet.
E njohur si Qendra e Përbashkët Koordinuese (JCC), ajo ka katër ekipe me tetë inspektorë, dy nga Rusia dhe po aq nga Ukraina, Turqia dhe Kombet e Bashkuara.
Këto ekipe inspektojnë në zonën turke, anijet që transportojnë grurë, pak para nisjes drejt vendeve të treta për t’u siguruar që të gjitha mallrat janë kontrolluar.
Ekipet gjithashtu kontrollojnë anijet boshe që kthehen në Ukrainë për t’u siguruar që ato nuk mbajnë armë, mallra ose njerëz të paautorizuar.
Kalim i sigurt
Marrëveshja krijon një zonë të sigurt prej 10 miljesh detare brenda së cilës anijet me grurë udhëtojnë përgjatë korridorit ku nuk lejohen anijet ushtarake, pajisje tjera ose dronë brenda asaj rrezeje.
Të gjitha lëvizjet e anijeve të regjistruara nga JCC u transmetohen autoriteteve përkatëse ushtarake për të parandaluar çdo incident. Çdo shkelje ose kërcënim duhet të trajtohet nga JCC.
Në fillim të luftës, Ukraina minoi portet e saj kryesore të Detit të Zi për të shmangur kërcënimet e një sulmi rus nga deti. Ekspertët thonë se duhet shumë kohë për të çminuar të gjitha ato zona.
Marrëveshja u mundëson ukrainasve të drejtojnë anijet përgjatë rrugëve të sigurta që shmangin fushat e minuara, brenda dhe jashtë ujërave ukrainase territoriale.
Marrëveshja u pezullua për pak kohë
Më 29 tetor, Rusia tha se po pezullonte pjesëmarrjen e saj në marrëveshje, duke akuzuar Ukrainën për përdorimin e korridorit të anijeve për të nisur një sulm me dron në flotën e saj të Detit të Zi, në portin Sevastopol të Krimesë.
Pas një telefonate mes ministrave të mbrojtjes të Rusisë dhe Turqisë, marrëveshja filloi të zbatohet sërish më 2 nëntor. Moska tha se kishte marrë garanci me shkrim nga Kievi se korridori nuk do të përdorej për të sulmuar forcat ruse./VOA
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Gjermania e Zvicra prijnë me numrin e të regjistruarve për votim nga diaspora 107,158 votues nga diaspora kanë aplikuar për votim në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit të...
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
Jeta në Zvicër
-
Presidentja e ri e Zvicrës në 2025 Në vitin 2025, stafeta presidenciale do t'i kalojë nga Viola Amherd Karin Keller-Sutter, një anëtare e...
-
Migros viktimë e kriminelëve kibernetikë që ua keqpërdorin logon
-
Si do të ndikojnë te qytetarët ndryshimet në ekonominë zvicerane në vitin 2025?
-
Ҫfarë mund të prisni në Zvicër në vitin 2025?
-
Taksat e turizmit shtohen në koston e pushimeve të skive në Alpet zvicerane