Autotech

Marrëveshja gjigante mes BMW-Mercedes-Volkswagen, po hetohet nga BE-ja

Hetimi është nisur nga komisionerja evropiane për Konkurrencën, Margrethe Vestager

Autoriteti i Mbikëqyrjes Antimonopol i BE-së ka nisur një hetim për një marrëveshje të mundshme midis prodhuesve gjermanë të automobilave për të mos qenë në konkurrencë në fushën e teknologjive për uljen e emetimeve të gazrave me efekt serrë, tre vjet pas shpërthimit të skandalit “Dieselgate”.

“Komisioni po shqyrton nëse BMW, Daimler dhe Volkswagen kanë rënë dakord për të mos bërë konkurrencë në lidhje me zhvillimin dhe vendosjen e sistemeve të rëndësishme që mundësojnë uljen e emetimeve të dëmshme të makinave, kryesisht atyre me motor dizel”, sipas një deklarate të ekzekutivit evropian.

Hetimi është nisur nga komisionerja evropiane për Konkurrencën, Margrethe Vestager.

Komisioni deklaroi se teknologjitë përfshijnë sistemet e reduktimit selektiv katalitik, që redukton oksidin e nitrogjenit nga makinat me naftë, si dhe filtrat “Otto” që reduktojnë ndotjen nga makinat me benzinë.

E gjithë kjo ka nisur pas informacioneve sipas së cilave BMW, Daimler, Volkswagen (si dhe Audi dhe Porche degë e VW) kanë marrë pjesë në takime, ku është diskutuar zhvillimi dhe futja e teknologjive që mundësojnë uljen e emetimeve të dëmshme të gazrave që lëshojnë makinat, përcjell albinfo.ch.

Mediat gjermane raportojnë se “Daimler” prodhuesi i makinave ”Mercedes-Benz” kishte pohuar fillimisht ekzistencën e kësaj marrëveshje në shkallë të gjerë midis prodhuesve gjermanë për të përfituar nga zemërgjerësia e autoriteteve të konkurrencës.