Pse Maroku i refuzon ndihmat nga disa shtete
Ministria e Brendshme ka deklaruar të dielën se Maroku “u ishte përgjigjur në këtë fazë ofertave të mbështetjes nga vendet mike: Spanja, Katari, Britania e Madhe dhe Emiratet e Bashkuara Arabe”.
Spanja ka dërguar një njësi kërkim-shpëtimi me qen nuhatës dhe Britania e Madhe ka zhvendosur ekip të ngjashëm. Megjithatë, janë ngritur pyetje se pse Maroku ka qenë i ngadalshëm për të pranuar oferta të tjera.
Marrëdhëniet e tensionuara
Franca ka qëndruar e gatshme të ndihmojë, por kreu i një organizate bamirësie të shpëtimit, Secouristes sans Frontieres, ka thënë se punonjësve të tij nuk u ishte dhënë miratimi nga Qeveria marokene, raporton agjencia e lajmeve AFP.
Algjeria, e cila ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me fqinjin e saj afrikano-verior dy vjet më parë, ka treguar gatishmëri për t’i dërguar 80 punëtorë të specializuar të shpëtimit nga forcat e mbrojtjes civile.
Ka pasur edhe oferta nga SHBA-ja, Tunizia, Turqia dhe Tajvani, ndër të tjera.
Por vendimi se çfarë ndihme të mirëpritet ka kaluar në çështje të sovranitetit dhe gjeopolitikës.
Ka marrëdhënie të tensionuara midis Francës dhe Marokut, për shembull, pjesërisht si rezultat i lëvizjeve të presidentit francez Emmanuel Macron për t’u afruar me Algjerinë.
Por autoritetet franceze janë përpjekur të nënvlerësojnë çdo pretendim se ishin shpërfillur.
“Është gabim”, është cituar të ketë thënë ministrja e Jashtme, Catherine Colonna. “Ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë Marokun. Është vendim sovran dhe u takon atyre të vendosin”.
Maroku ka thënë se dëshiron të mbajë situatën nën kontroll dhe se “nuk dëshiron të rrezikojë situatë potencialisht kaotike me dhjetëra vende dhe organizata që vijnë për të ndihmuar”.
“Mungesa e koordinimit në raste të tilla do të ishte kundërproduktive”, kanë thënë autoritetet.
“Refuzimi” i ndihmës
Kritiku i Qeverisë dhe aktivisti Maati Mounjib ka thënë se kjo është përgjigje e gabuar, në një kohë kur vendi ka nevojë për ndihma urgjente, veçanërisht në zona më të largëta.
“Unë mendoj se është me të vërtetë gabim të këmbëngulësh në sovranitetin dhe krenarinë kombëtare. Ky nuk është momenti për të refuzuar, sepse ndihma është thelbësore, madje edhe vendet e zhvilluara pranojnë ndihmën e jashtme në fatkeqësi”, ka thënë ai për “Newsday” të BBC-së.
Hossam Elsharkawi, drejtor rajonal për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), ka hezituar të kritikonte autoritetet marokene në këtë kohë kaq të vështirë, por ka shtuar se një ditë është e pashmangshme që të kërkohet ndihmë nga jashtë.
Organizata po i jep mjete degës lokale të Gjysmëhënës së Kuqe, por IFRC-ja ka gjithashtu ekipe të specializuara, gati për të shkuar në këtë shtet.
“Ne kemi përvojë prej 30 vjetësh në këta lloj skenarësh, e dimë si shkon – ata do të kenë nevojë për ndihmë ndërkombëtare. Ekipet lokale kanë bërë punë fantastike deri më sot, por ata janë të rraskapitur në ditën e tretë dhe do të kenë nevojë për ndihmë shtesë”, ka theksuar Elsharkawi.
Një ekip britanik prej katër personash, duke përfshirë ekspertë të shëndetit, higjienës e logjistikës, nga shoqata bamirëse “UK-Med”, ka mbërritur në Marok të hënën.
Ata do të udhëtojnë në jug për në Amizmiz, ku do të “lidhen me ekipin qendror të shpëtimit dhe do të punojnë me autoritetet lokale shëndetësore”, ka thënë për BBC-në udhëheqësi i ekipit, Tom Godfrey.
“Megjithëse të tjerët mund të vijnë, ne nuk duam të sjellim kapacitete shtesë nëse Qeverisë marokene nuk i nevojitet”, ka shtuar ai.
Nga tërmeti i së premtes, sipas kohës lokale në Marok, kanë humbur jetën më shumë se 2800 persona, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të hënën. Mbi 2500 është numri i të lënduarve.