Kosova

“Mardhë” – Filmi i parë i animuar me histori nga lufta e fundit në Kosovë

Ky film përcjell personazhin “Betin” përgjatë javës së parë të bombardimeve të NATO-s të vitit 1999, gjersa zhvendoset nga shtëpia e saj për në fshatin kufitar të Bllacës nga forcat policore serbe.

Ka nisur të mbahet edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit – “Anibar”, i cili do të zhvillohet mes datave 23-30 korrik, ndërsa këtë vit marrë parasysh situatën e krijuar nga pandemia ky eveniment erdhi në versionin hibrid me shfaqje të filmave të animuar përmes internetit.

Por, për artdashësit në hapjen zyrtare të festivalit ishin hapur edhe dyert e Kino “Liqeni”, ku të pranishëm ishin dashamirës të filmit të animuar, personalitete të njohura vendore e ndërkombëtare si dhe gjithçka u zhvillua në përputhje me rregullat anti COVID-19.

Programi i “Anibar” është mjaft i pasur duke sjellë një listë prej 300 filmash të krijuar në Kosovë e vende të ndryshme të botës.

Edhe premiera e filmit “Mardhë” u dha pikërisht brenda programit të filmave të “Anibar”, ndërsa shtjellon temën e luftës së fundit të zhvilluar në Kosovë, saktësisht ky film përcjell personazhin “Betin” përgjatë javës së parë të bombardimeve të NATO-s të vitit 1999, gjersa zhvendoset nga shtëpia e saj për në fshatin kufitar të Bllacës nga forcat policore serbe.

Ky film është prodhim i “Oral History Kosovo”, ndërsa ka marrë mbështetje edhe nga Komuna e Prishtinës, “Forum Zfd” dhe “BMZ”.

Regjisorja e këtij filmi, Flaka Kokolli në një intervistë për Albanian Post, ka treguar se intervistat të cilat shfaqen brenda filmit nuk ishin të krijuara enkas për këtë, por që ajo bashkë me koleget e saj, Urtina Hoxhën dhe Erëmirë Krasniqin hodhën hapin e parë për të sjellë një film të animuar me një tematikë të ndjeshme, si ajo e luftës.

“Intervistat të cilat janë përdorur për këtë projekt nuk janë krijuar me qëllim të shndërrimit në film të animuar”.

“Por, mbi të gjitha edhe ka pasur mungesë kuadrosh të njerëzve për t’i zhvilluar ato. Sidoqoftë, unë me Urtinën dhe Erëmirën kemi vendosur të ideojmë filmin e parë të këtij lloji duke vazhduar më pas edhe me harmonizimin e pjesës së dytë”, thotë Kokolli, transmeton AP, përcjell Albinfo.ch.

“Mardhë” është një film i animuar që zgjat jo më shumë se 4 minuta, por që koha për ta realizuar ishte shumë më e gjatë sesa rezultati final.

Madje, një nga intervistat historia e të cilës shfaqet në film, daton që nga viti 2015.

“Filmi ka përfunduar në fund të vitit të kaluar si dhe pritja ka qenë me qëllim që premiera të jetë brenda një festivali kombëtar”.

“Animacioni shpesh din të jetë formë e artit të lirë, madje edhe më i lirë sesa xhirimet e filmave ‘Live Action’. Pastaj, edhe procesi i fondeve dhe koha e limituar shkaktojnë mangësitë e veta si dhe krijojnë ndjenjën që do të mund të ishte më gjatë i zhvilluar”, tha ajo.

Numri i viktimave gra të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë kalon shifrën prej 20 mijë sosh, por raste të shumta dhe rrëfime të ndryshme tregojnë se gjatë asaj periudhe një numër i konsiderueshëm përfshinë edhe viktima të gjinisë mashkullore.

Pse “Mardhë” ka vendosur që të prek pikërisht vetëm temën e dhunës së grave në luftën e Kosovës,  dhe jo të burrave?

“Dhuna seksuale ndaj grave e burrave është temë e rrallë që diskutohet me seriozitet të cilin e meriton. Por, shpesh kjo temë përdoret si kartë sulmi me qëllim të minimizimit të rasteve të grave”, shpjegon Flaka.

Historia e filmit përfshin të dhëna të sakta dhe jo të sajuara, ndaj dhe hulumtimi për gjetjen e këtyre informacioneve ishte në nivelin e duhur të seriozitetit.

“Një pjesë shumë e rëndësishme e procesit ka qenë hulumtimi të cilin ne e kemi bërë përmes arkivave personale si dhe atyre të versioneve virtuale”.

“Mirëpo shumë informacione janë marrë edhe prej arkivit të ‘Oral History Kosovo’, të cilët po ashtu kanë qenë edhe prodhuesit e këtij filmi”, tregon ajo.

Gjithsesi, Flaka, ka treguar se filmi është pritur mirë si nga publiku ashtu edhe nga kritikët e këtij zhanri të kinematografisë, kjo edhe për faktin se një numër i madh i audiencës kanë përjetime personale të dorës së parë të luftës në Kosovë.

Flaka Kokolli e cila është e shkolluar në këtë lëmi të artit si dhe është pjesë e studios së filmave të animuar “Flammorum”, ka zbuluar se edhe një film i dytë është pranë përfundimit ndërsa si projekt është mundësuar të realizohet falë subvencioneve të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Filmi, i cili pritet të finalizohet në vjeshtën e këtij viti do të titullohet – “Shpija”, ndërsa Kokolli thotë që ky është vetëm një nga projektet e saj të ardhshme pasi që puna e saj në sferën e filmave të animuar do të rrjedhë gjatë duke sjellë ide dhe koncepte të reja në tregun shqiptar e atë ndërkombëtar.