Lajme

Maqedonia voton presidentin; interesim i vogël ndër shqiptarët

Raportohet për dalje solide të qytetarëve në zgjedhje rreth 30 për qind. Në zonat shqiptare ka dalje të vogël në votime

Në Maqedoni sot po mbahen zgjedhjet e pesta presidenciale, ndërsa në garë për numrin një të shtetit, janë katër kandidatë. Deri në orët e pasdites raportohet për dalje solide të qytetarëve në zgjedhje, ndërsa edhe kësaj here, shqiptarët kanë hyrë të përçarë prandaj në zonat shqiptare ka dalje të vogël në votime.

 

Si rëndomtë, kutitë e votimit janë hapur në ora 7 e mëngjesit, ndërsa të drejt vote kanë 1.7 milionë qytetarë, të cilët do të përcaktohen për njërin nga katër kandidatët: Iljaz Halimin e PDSH-së, Gjorgje Ivanovin e VMRO-DPMNE-së, Stevo Pendarovski nga LSDM-ja dhe Zoran Popovskin nga GROM.

 

Nëse në raundin e parë asnjëri kandidatë nuk i merr më shumë se 51 për qind të votave, shkohet në balotazh ndërmjet dy të parëve.

 

Siç raporton INA në këto zgjedhje presidenciale për herë të parë ka votuar edhe diaspora, me ç`rast 8.311 qytetarë jashtë vendit dje kanë votuar për presidentin. Dje gjithashtu kanë votuar pjesëtarët e armatës, të sëmurët dhe personat e paaftë, si dhe të shpërngulurit, përfshirë këtu edhe të burgosurit.

 

Deri në mesditë, sipas Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve, kanë votuar rreth 30 për qind të atyre që kanë pasur të drejt vote. Siç raportojnë pjesëtarët e policisë së Maqedonisë, deri pas mesditës, nuk është vërejtur ndonjë problem i theksuar që mund ta prish imazhin e zgjedhjeve.

 

Ndërsa siç ka raportuar organizata VEPRO, për shkaka të përçarjeve ndërmjet spektrit politik shqiptar, në lokalitete shqiptare është vërejt dalje e vogël në votime.

 

Sipas të dhënave, deri në orën 12, në Saraj kanë dalë për të votuar vetëm 1.7 për qind e votuesve, në Çair 1.8 për qind, në Haraçinë 1.3 për qind, në Likovë 1.3 për qind, në Tetovë 4.5 për qind, në Gostivar 3.4 për qind, në Strugë 3.4 për qind, në Dibër 2.5 për qind, në Bogovinë 1.3 për qind.

 

Në garën për president të Maqedonisë është edhe Iljaz Halimi i Partisë Demokratike Shqiptare. Por, ai nuk arriti të marrë edhe mbështetjen e partisë më të madhe shqiptare, BDI-së së Ali Ahmetit, prandaj gjasat që ai të shkojë në balotazh janë të vogla. Madje BDI ka paralajmëruar mospjesëmarrje në zgjedhje.