Zhvillim

Maqedonia promovohet si prijëse në regjion për investimet e huaja

Nga Maqedonia në Forumin e Cyrihut kishte ardhur zëvendëskryeministri Vladimir Pesevski dhe ministri për investime, Visar Fida, të cilët me referimet e tyre kanë dhënë një pasqyrë të gjendjes në fushën e investimeve në Maqedoni

Maqedonia në vitet  fundit ka bërë një ngritje mjaft impresive në listat botërore sa i përket krijimit të lehtësirave në ngritjn e bizneseve, gjegjësisht investimeve nga jashtë. Në këto kategori, sipas asaj që u prezantua në forumin e mbajtur në Cyrih me moton “Investimi dhe tregtia në Maqedoni”, ky vend është ndër të parët jo vetëm në regjion por edhe më gjerë.

Forumi në Cyrih ishte në radhën e aktiviteteve të ngjashme që organizon SEC (Dhoma e Bizneseve e Cyrihut për Evropën e Mesme) ku promovohen ekonomitë e vendeve të ndryshme të Evropës.

Nga Maqedonia në këtë aktivitet kishte ardhur zëvendëskryeministri Vladimir Pesevski dhe ministri për investime, Visar Fida, të cilët me referimet e tyre kanë dhënë një pasqyrë të gjendjes në fushën e investimeve në Maqedoni.  

Forumin fillimisht e ka përshëndetur ushtruesi i detyrës së ambasadorit të Maqedonisë në Zvicër, Rafet Hajdari. Ai ka theksuar rëndësinë që kanë këto aktivitete për promovimin e investimeve në një vend në zhvillim çfarë është Maqedonia dhe u ka bërë thirrje bizneseve nga Zvicra për të investuar atje.

Zëvendëskryeministri Pesevski ka ofruar një përshkrim mjaft kompleks të gjendjes në sferën e ekonomisë dhe investimeve në vendin e tij. Ai ka prezantuar fillimisht objektet që qeveria të cilën ai e përfaqëson i ka ngritur gjatë viteve te fundit, për të vazhduar më tutje me informacionet bazike për ekonominë maqedonase.

Ky vend ka brutoproduktin kombëtar 5750 dollarë për person, partnerët kryesorë ekonomikë të Maqedonisë janë: Gjermania, Greqia, Serbia, Bullgaria etj. Në vazhdim  Pesevski  ka prezantuar strategjinë që ndjek qeveria e vendit të tij për tërheqjen e investitorëve të huaj. Shtyllat që mbajnë këtë strategji janë krijimi i klimës për investime, ngritja e gdp-së, synimi për bërjen e  Maqedonisë destinacioni më i volitshëm për të hapur biznes në Evropë, intensifikimi dhe vazhdimi i reformave etj. “Investitorët e duan stabilitetin dhe ne po punojmë që ta sigurojmë atë edhe pse regjioni njihet për një të kaluar jo shumë të qetë. Pastaj ngritja e resurseve cilësore njerëzore në Maqedoni ku kemi një numër të madh të të rinjve të shkolluar mirë është po ashtu një objektiv i qeverisë. “Ne nuk mund të konkurrojmë me botën sa i përket shkencës ose teknologjisë së dorës së parë por mund të ofrojmë kushte për investim të lirë në vend, ka thënë zv. kryeministri maqedonas, Pesevski. Ai po ashtu ka folur për lehtësirat që ofron vendi i tij për ngritjen e bizneseve duke përfshirë kohën e shkurtë që nevojitet për një gjë të tillë dhe mungesën e barrierave burokratike ose thjeshtësimin e procedurave doganore.

Investimi i lartë në arsim (5-6% e buxhetit të shtetit), ofrimi i teksteve mësimore pa pagesë, mësimi i anglishtes nga klasa e parë e fillores, universitetet e vendit që bashkëpunojnë me universitetet më të mira botërore janë parakushte mjaft premtuese për realizimin e strategjisë për tërheqjen e investitorëve të huaj, ka thënë zv. kryeministri. Ai ka prezantuar lista dhe grafikone që tregojnë ngritjen e Maqedonisë gjatë viteve të fundit drejt kreut të tyre. Në rangimin e Bankës Botërore për lehtësitë në bërje të biznesit ajo në vitin 2005 ka qenë në vendin e 94-t ndërsa në vitin 2013 është ngjitur në vendin e 25-të.

Gjatë punimeve të forumit, disa nga përfaqësuesit e investuesve nga Zvicra në Maqedoni kanë bërë prezantimin e investimeve të tyre. Kështu Bojana Dimovska, menaxhere e kompanisë së njohur zvicerane Rontis e cila ka investuar në Maqedoni, ka shpalosur vizionin e kompanisë në fjalë dhe përvojën  saj lidhur m investimet e bëra në Maqedoni e në Greqi. Rontex, që merret me prodhimin e aparaturave mjekësore, dhe me farmaceutikë, deri më tash në Maqedoni ka krijuar 650 vende të punës ndërsa deri në fund të dhjetorit të këtij viti ky numër do të rritet në 730 sish. Deri më tash kompania ka investuar 93 milionë franga në Maqedoni.  

Në emrin e ndërmarrjes “Netctera group” me seli në Cyrih e cila ka filialin e vet edhe në Shkup ka folur menaxheri i saj, Andrej Vrckovski. Sipas tij, “Netcetera grup” në Shkup ka 101 inxhinrë softuerikë dhe si e tillë është më e fuqishmja në regjion në këtë fushë. Vrckovski ka numëruar disa faktorë që favorizojnë investimin në Maqedoni, në mesin e të cilëve fuqia e lirë dhe e kualifikuar punëtore, afërsia me Zvicrën, ardhja nga Maqedonia në Zvicër pa viza, pastaj mbështetja nga qeveria, procedurat burokratike të thjeshtëzuara  etj.

 

Ministri Fida: “Investimet janë shpërndarë proporcionalisht edhe në rajonet e banuara me shqiptarë”

 Visar Fida, në cilësinë e ministrit për investime ka thënë për albinfo.ch se forume sikur ky i Cyrihut, Qeveria e Maqedonisë zhvillon në vazhdimësi në vende të ndryshme. “Në Zvicër, prezantimi i fundit ka qenë para 3-4 vitesh por në të ardhmen do të ketë aktivitete të tilla më shpesh. Janë disa arse për ta bërë këtë. Së pari, ne u ofrojmë investitorëve zviceranë mundësinë për investime me kosto shumë më të ulët. Pastaj edhe fakti se në Zvicër jeton një diasporë e madhe nga Maqedonia, e shton nevojën për një bashkëpunim më të madh. Për fatin tonë të mirë kjo diasporë nuk është më ajo që ka qenë por është ngritur kështu që ka në mesin e saj mjaft të tillë që kanë ngritur kapacitete ose drejtojnë ndërmarrje e punësojnë shumë njerëz. Kështu, mund t`i sensibilizojmë ata që një pjesë të bizneseve të tyre ta drejtojnë në Maqedoni ose që të bindin partnerët e tyre afaristë zviceranë që ta bëjnë një gjë të tillë, thotë ministri Fida.

Ndërsa perceptimeve se investimet nga jashtë janë orientuar më tepër në zonat e banuara me maqedonas se në ato e shqiptarë, ministri Fida u përgjigjet me kundërargumente. “Disa nga investimet më të suksesshme, që kanë punësuar me qindra punëtorë janë bërë pikërisht në zonat shqiptare si në Visbeg të Shkupit, në Tetovë, në Kërçovë, në Strugë etj. Në Tetovë për shembull investitori italian Itek ka filluar ngritjen kapacitetet e tij për prodhimin e materialeve kompozite. Po nga Italia në zonën  lirë ekonomike të Tetovës do të kemi mundësinë ta shpallim qysh të hënën që vjen investimin e industrisë automobilistike Fiat. Ndërsa në Kërçovë industria amerikane “Key Safety Systems” në kapacitetet e saj do të punësojë rreth 1000 veta. Pastaj një kompani gjermane për prodhimin e  tabelave të automjeteve do të ndërtojë fabrikën në zonën ekonomike të Strugës që do të krijojë 400 deri 500 vende të reja të punës etj. Të gjitha këto janë hapa të mirë por ende të pamjaftueshëm për uljen e shkallës së late të papunësisë”, ka shtuar Fida.

Ai për fund ka porositur mërgimtarët që “të vijnë te ne të na japin ide për investime të tyre ose të partnerëve të tyre zviceranë”.