Maqedonia

Maqedonia, pas 15 vjetësh, në Forumin Ekonomik në Davos

Herën e fundit Maqedonia mori pjesë në forumin në Davos më 2003, me një delegacion të udhëhequr nga presidenti Boris Trajkovski dhe Kiro Gligorov

Një delegacion qeveritar, i kryesuar nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës më 25 dhe 26 janar, bëjnë të ditur mediet në Shkup, përcjell albinfo.ch.

Projektet dhe iniciativat e programit që do të prezantohen në takimin e 48-të vjetor të Forumit Ekonomik Botëror janë në temën “Krijimi i një të ardhme të përbashkët në botën e ndarë”.

“Forumi Ekonomik Botëror është një organizatë ndërkombëtare që punon globalisht për të krijuar një model të qeverisjes korporative, në të cilën respektohen vlerat si dhe rregullat”, thuhet në njoftim të Qeverisë në Shkup.

Ndryshe, kryeministri i Maqedonisë, Zaev, është politikani i parë maqedonas, i cili pas 15 vjetësh merr pjesë në këtë mbledhje prestigjioze. Politikanët nga fuqitë e mëdha botërore, siç është presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tashmë kanë njoftuar pjesëmarrjen e tyre në forum.

Herën e fundit Maqedonia mori pjesë në forumin në Davos më 2003, me një delegacion të udhëhequr nga presidenti Boris Trajkovski dhe Kiro Gligorov.