Zhvillim

Maqedonia, një histori suksesi në klimën e të bërit biznes

Në forumin për investimet në Maqedoni që u mbajt të enjten në Cyrih, Maqedonia u prezantua si një histori suksesi sa i përket klimës së të bërit biznes

  • © 2016 ALBINFO

  • © 2016 ALBINFO

  • © 2016 ALBINFO

  • © 2016 ALBINFO

  • © 2016 ALBINFO

  • © 2016 ALBINFO

  • © 2016 ALBINFO

  • © 2016 ALBINFO

  • © 2016 ALBINFO

Maqedonia, përkundër vlimeve politike nëpër të cilat po kalon, duket se në aspektin ekonomik po tregohet si një histori suksesi. Ky mund të jetë emëruesi i përbashkët që del nga forumi mbi investimet në Maqedoni që u mbajt të enjten në Cyrih.

Zëvendëskryeministri Vladimir Peshevski dhe ministri për investime, Arlind Zeqiri kanë prezantuar para një publiku zviceran dhe maqedonas e shqiptar, përparësitë e investimit në Maqedoni ndërsa disa nga investitorët kanë shpalosur përvojat e tyre pozitive të investimit atje.

Maqedonia zë vendin e parë në Evropë dhe të dhjetin në botë për klimën pozitive të bërjes biznes, ka thënë zëvendëskryeministri i këtij vendi duke prezantuar të dhënat përkatëse të publikuara nga Banka Botërore. Ai ka folur më tutje lidhur me parametrat e ndryshëm makroekonomikë të cilët dëshmojnë një stabilitet dhe një avancim të Maqedonisë në krahasim me vendet në regjion, shkruan albinfo.ch. Klima e favorshme e të bërit biznes, ku hyjnë taksat e ulëta, procedurat joburokratike për themelimin e kompanive, stabiliteti financiar (asnjë bankë nuk ka falimentuar prej shumë vitesh) pastaj infrastruktura e mirë, arsimimi cilësor etj., janë sipas Peshevskit argumente bindëse për të huajt që të investojnë në Maqedoni.

Si dëshmi për klimën e favorshme për investime të jashtme në vendin e tij ai ka prezantuar një numër ranglistash të bëra nga institucione relevante ndërkombëtare në të cilat Maqedonia rezulton si më e avancuara ose në mesin e më të avancuarve. Këtu hyjnë listat që radhisin regjionet, zonat, qytetet e vogla etj. më të suksesshme ose me klimë të favorshme për të bërë biznes, ku të shumtën e rasteve prijnë ato nga Maqedonia.

  • 33 përfaqësi në botë për tërheqjen e investimeve

Po ashtu rreth klimës së bërjes biznes ka folur edhe ministri për investime, Arlind Zeqiri. Ai është ndalur më shumë në zonat që ka krijuar qeveria për investime të huaja, me gjithë infrastrukturën e nevojshme të siguruar. Zeqiri ka theksuar se serioziteti i Maqedonisë në fushë të tërheqjes së investimeve të jashtme tregohet me faktin ajo ka ngritur 33 përfaqësi në vende të ndryshme të botës që angazhohen vetëm për të sjellë investime në vend, raporton albinfo.ch nga forumi. Vetë Zeqiri ka qenë drejtues i një përfaqësie të tillë në Bernë.

Me interes kanë qenë edhe prezantimet e disa prej investitorëve nga Zvicra në Maqedoni. Shefi i kompanisë Netcetera me seli në Cyrih, zvicerani me prejardhje maqedonase Andrej Vckovski, ka bërë një paraqitje mjaft impresive të kompanisë së tij të specializuar për produkte softuerike. Netcetera ka prej 15 vitesh edhe përfaqësinë e vet në Maqedoni, e cila, sipas shefit të saj afaron me sukses të plotë. Këtë sukses ai ia faturon klimës shumë të mirë dhe favorizuese për investimet që mbretëron në Maqedoni. Po ashtu Vrckovski vuri theksin në rininë e shkolluar dhe mendjehapur të Maqedonisë e cila është e përgatitur për tu përballur me sfidat në fushën e kompjuterizimit.

Kompania zvicerane Rontis, e njohur për prodhimin e elementeve teknike nga fusha e mjekësisë, ka një bashkëpunim të gjerë dhe të thelluar me Maqedoninë. Në kuadër të shpërndarjes së punës në vende të ndryshme të Evropës Lindore, ajo udhëheq me sukses prej vitesh një fabrikë në Veles të Maqedonisë, e cila punëson rreth 500 punëtorë. Përfaqësuesi i kësaj kompanie ka shpalosur para publikut zhvillimin e saj dhe ka vënë theksin në klimën e mirë që mbretëron atje nga çdo aspekt.

  • Seco mbështet investimet në Maqedoni dhe në vendet tjera në zhvillim

Publikut i është drejtuar edhe përfaqësuesi i Sekretariatit Shtetëror për Ekonomi SECO, Andreas Ragaz. Ai ka folur lidhur me fondet që ofron institucioni i përmendur për ata që dëshirojnë të investojnë në vendet e prejardhjes.

Fondi SSF mbështet projekte në vende me ekonomi në zhvillim, ku hyn edhe Maqedonia dhe vendet tjera të regjionit. Kusht për të gëzuar mbështetjen e SFF-së është që investuesi të ketë bazën e tij në Zvicër. Po ashtu projektet, për tu mbështetur, duhet të bëhen vetëm në sektorin privat, të kenë qëndrueshmëri ekonomike dhe t`i plotësojnë standardet ekologjike dhe sociale përkatëse. Ragaz ka dhënë disa shembuj të investimeve të mbështetura nga SFF, një numër i të cilave i përket Maqedonisë. Ai ka sqaruar më tutje se kusht tjetër për mbështetje nga ky fond është që investuesi të ketë të siguruar  50 për qind të shumës së investimit dhe që i gjithë qarkullimi të bëhet në franga.

Prezantimi i përfaqësuesit të SECO-s ka ngjallur interesim te të pranishmit, investues potencialë në Maqedoni.