Maqedonia

Maqedoni: Ohri i mbushur me turistë për festat e fundvitit 

Ohri është mbushur plot me turistë për festat e Vitit të Ri. Qyteti është në kulmin e sezonit turistik, shkruan Alsat.

Numri më i madh i mysafirëve janë nga Serbia, që sipas vlerësimeve të sektorit të turizmit janë rreth 15 mijë.

Më shumë se 2000 turistë serbë erdhën përmes vetëm një agjencie udhëtimi.

Ohri këtë vit të ri i priti mysafirët me çmime më të larta, si për akomodim ashtu edhe për shërbime gastronomike.

“Bëjmë udhëtime për të rinjtë dhe kemi sjellë 2000 serbë, ndoshta pak më shumë. Jemi shumë. Dalim së bashku, takojmë njerëz të ri. Kryesisht nuk ka të rinj, por ka të moshuar që janë të interesuar. Ohri është interesant për turistët serbë, sepse ka shumë për të parë, moti nuk ka ndihmuar. Sonte shkojmë në disko. Kemi edhe festë në varkë, festa ditore, shëtitje”, tha Sandra Jovanoviq – udhëheqëse turistike nga Serbia.

Ka edhe turistë vendas, por edhe nga Mali i Zi, Bullgaria, Shqipëria, Turqia e të tjerë. Të gjithë do ta presin vitin e ri në mënyrën e vet.

“Unë jam nga Ohri, kam më shumë se 30 vjet që jetoj në Gjermani, por për Vitin e Ri jam gjithmonë këtu, sepse në Ohër është më bukur për Vitin e Ri. Njerëzit këtu janë të ndryshëm, argëtohemi ndryshe”, u shpreh një turist.

“Unë jam nga Holanda, kemi qëndruar dy net dhe do të ikim sonte. Është vend shumë i bukur, më pëlqen liqeni, i cili është shumë i ngjashëm me liqenin e Komos. Qyteti ka histori shumë të bukur dhe interesante”, tha një turist tjetër.

“Ne jemi nga Sofja. Do të qëndrojmë tre ditë në Strugë, jemi rreth 50 veta, nuk është hera e parë këtu dhe jemi shumë të kënaqur”, u shpreh një turist.

“Jemi nga Serbia. Kemi pesë ditë këtu, që nga 28 dhjetori. Vijmë në Ohër dhjetë vite me radhë. Ambienti, mikpritja, fytyrat e buzëqeshura, kjo është arsyeja pse vijmë këtu rregullisht”, theksoi një turiste nga Serbia.

“Nuk kam qenë asnjëherë në Ohër, është hera ime e parë dhe tani kam vendosur për Ohrin. Është fantastike. Atmosfera është e mrekullueshme, klima është e mrekullueshme dhe e krahasuam me Alpet zvicerane, për shkak të borës dhe maleve dhe liqenit. Gjithçka është fantastike. Çmimi i prenotimit është 160 euro për tre ditë. Plus kemi pritje të Vitit të Ri”, tha një turiste nga Serbia.

Pronarët e anijeve dhe barkave “fërkojnë duart”, shprehen se janë të kënaqur me punën.

“Qyteti është plot me turistë dhe jemi të kënaqur. Nuk kanë ardhur turistët e pasur. Më së shumti ka mysafirë nga Serbia. Mirë që po ndërtojnë rrugën Kërçovë-Ohër, që të vijnë mysafirë pak më të pasur. Ne më së shumti i çojmë mysafirët nëpër pjesën e vjetër të qytetit, nëpër kisha, u tregojmë shpellat. Ohri ka përplot histori”, tha Naum Mato- pronar i varkës.

Hotelet më të mëdha jashtë qytetit janë 50-70% të mbushura, ndërsa hotelet e qytetit 100%. Kërkesa të shumta ka edhe për akomodimet private.

Edhe Struga këto ditë është e mbushur me mërgimtarë dhe mysafirë nga Bullgaria, Shqipëria dhe Kosova. Sonte në Ohër do të ketë pritje të organizuar në sheshin e qytetit.