Koronavirusi: çast pas çasti

Maqedoni e Veriut: Arrin në 110 numri i viktimave nga koronavirusi

Maqedonia e Veriut në 24 orët e fundit ka regjistruar edhe katër vdekje të reja nga pandemia e koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë një grua e moshës 65 vjeçe dhe një burrë i moshës 71 vjeç nga Shkupi; një 73-vjeçar nga Tetova dhe një tjetër i moshës 41 vjeç nga Prilepi.

Viktima e fundit, sipas njoftimit, për më shumë se 40 ditë po trajtohej në Klinikën e Infektive në Shkup, ndërsa personat e tjerë kanë pasur edhe probleme të tjera shëndetësore.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi, në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 110.

Sipas raportit të publikuar, që nga paraqitja e virusit, në këtë vend janë regjistruar gjithsej 1858 të të infektuarve, 1367 janë shëruar, ndërsa 381 ende janë aktivë, përcjell Albinfo.ch.