Kosova

Maqedonci thotë se militarizimi i Serbisë tregon qasjen hegjemoniste ndaj Kosovës

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci, është shprehur se ushtria serbe po e arsyeton prezencën pranë territorit të Kosovës me justifikime të paqëndrueshme, duke përmendur ushtrimet ushtarake.

Ai ka thënë të dielën se militarizimi i vazhdueshëm i Serbisë dhe vendosja e kapaciteteve në jug të saj, është tregues për vazhdimësinë e qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë në raport me Kosovën dhe fqinjët e tjerë.

Për arsyetimin e Serbisë se ushtarët po pengonin prerjen ilegale të pyjeve, Maqedonci tha se është kamuflazh, pasi për këtë çështje në Serbi janë rojet e pyjeve.

“Në vazhdimësi, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Serbisë përpiqet që prezencën e shtuar ushtarake të ushtarëve serbë në afërsi të territorit të Republikës së Kosovës ta arsyetojë duke përdorur justifikime tërësisht të paqëndrushme, siç përpiqet që edhe ushtrimet me avionë luftarakë sulmues dhe dronë vetëvrasës sulmues, siç ishte ushtrimi “Vihor 2024” në Peshter, t’i paraqesë si përgatitje ushtarake për mbrojtje të territorit. Militarizimi i vazhdueshëm i Serbisë dhe veçanërisht vendosja e shumë kapaciteteve ushtarake në jug të territorit të saj është një tregues për vazhdimësinë e qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë në raport me Kosovën dhe fqinjët e tjerë”, ka shkruar ai.