Kosova

Maqedonci: Grupi i Radoiçiqit vazhdon të jetë rrezik për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar rrezikun që paraqet grupi i Milan Radoiçiqit për territorin e Kosovës, përderisa është ende i lirë dhe operon brenda territorit të Republikës së Serbisë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Maqedonci ka thënë se vazhdimi i organizimit të tyre tregon rrezikun që ky grup paraqet jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Është theksuar edhe më herët jo vetëm nga kryeministri Kurti, por edhe nga unë, gjithashtu edhe nga drejtuesit e tjerë të dikastereve të sigurisë nga ministri i Punëve të Brendshme, Drejtori i Policisë, rreziku që paraqet fakti që grupi i Radoiçiqit dhe elementët ekstremistë dhe terroristë përreth tij mbeten të lirë brenda territorit të Republikës së Serbisë, edhe më keq mbështeten nga strukturat e Republikës së Serbisë për të operuar dhe për të funksionuar pikërisht brenda territorit të Serbisë”, ka potencuar ministri.

Sipas ministrit Maqedonci, ky grup paraqet rrezik dhe për Ballkanin Perëndimor.