Lajme

Mantelbardhët shqiptarë në Austri, ballë për ballë me pandeminë

Dy mjekë dhe dy infermierë shqiptarë nga Austria flasin për përvojat e tyre në përballje me pandeminë e koronavirusit

Shpesh dëgjojmë të thonë njerëzit ky virus ka futur tërë botën në kaos. Një gjendje me të cilën po përballemi teknikisht në mënyrë intensive që nga mesi i marsit. Nga dita në ditë gjendemi para një bote të re, të cilën s`e kishim njohur ndonjëherë. Rregullat e rrepta të qëndrimit në shtëpi, ndalimi i përkohshëm i shumë punëve dhe izolimi social i konfrontoi njerëzit me situata krejtësisht të paparashikuara. Por, ndërkohë që shumica prej nesh rrinin në shtëpi dhe kujdeseshin për familjet e tyre, ishte një pjesë tjetër e cila mundësoi që gjithçka të funksionojë edhe gjatë asaj kohe. Ishin të gjithë ata që punuan në profesionet mbajtëse të sistemit, të cilët mundësuan që ne të gjithë të furnizohemi me gjërat e nevojshme apo të merrnim mjekimin e duhur, edhe pse bota ishte futur në panik. Ishin ata që sakrifikuan për të kaluar nga kjo krizë dhe që e meritojnë titullin e heroit.

Dr. Fisnik Muqolli (41) dhe Dr. Bujar Muqolli (42), kirurgë

Foto: Nizar Meta

 

Ata kanë punuar dhe arritur gjithçka së bashku, gjatë fëmijërisë, gjatë studimeve, gjatë karrierës, por së bashku po luftojnë edhe kundër pandemisë së Covid-19. Bëhet fjalë për dy vëllezërit Dr. Bujar Muqolli (42) dhe Dr. Fisnik Muqolli (41), të cilët ushtrojnë prej kohësh profesionin e mjekut. Janë mjekë të renomuar në arenën ndërkombëtare dhe së bashku drejtojnë repartin e ortopedisë dhe traumatologjisë në një spital të Vjenës.

Dr. Bujari shprehet: “Përshkrimi dhe profilizimi i karrierës sime nuk do të ishte i plotë në qoftë se do të flisja vetëm për vetën, pasi studimet si dhe specializimin i kam përfunduar si tandem me vëllain tim, Dr. Fisnik Muqollin. Edhe në klinikën ku jemi duke punuar aktualisht, jemi që të dy kryemjekë dhe e udhëheqim së bashku një repart, prandaj ne e trajtojmë gjithçka si ekip”, thotë ai.

Edhe pse ata kanë bërë eksperienca nga më të ndryshmet gjatë karrierës së tyre, momenti që u shfaq pandemia i zuri paksa në befasi. “Për sa i përket pandemisë, ka qenë dhe mbetet ende një sfidë për të gjithë ne. Ndërkohë që rastet e para janë shfaqur në Kinë diku në nëntor, prapë se prapë ne në muajin mars na gjeti situata disi të papërgatitur. Edhe pse të paralajmëruar, në momentin që u ballafaquam direkt me virusin, u shkaktua një kaos, por për fat të mirë i kontrolluar. Ne kishim një numër të madh të afateve të caktuara me pacientët për trajtime operative, por për të kursyer kapacitetet për raste urgjente, na është dashur të anulojmë të gjitha trajtimet që nuk ishin akute. Kjo gjë e reduktoi maksimalisht punën tonë në klinikë”, shton Dr.Bujari. Reparti ku punojnë vëllezërit  Muqolli, u përcaktua nga komuna e Vjenës si reparti përgjegjës i të gjitha rasteve traumatologjike me virusin korona të Vjenës. Kjo bëri që të rritet gatishmëria në maksimum nga i gjithë personeli mjekësor, sidomos komunikimi me kolegë dhe pacientë apo dhe rutina krejtësisht e ndryshuar i kanë mbetur në kujtesë: “Ky ndryshim total, ndryshoi shumë gjëra si: mënyrën e sjelljes me kolegë dhe pacientë apo dhe mënyrën e komunikimit me ta. E gjithë kjo ndikoi edhe te shumica me stres, në veçanti edhe te vetë personeli mjekësor. Disa u izoluan nga frika, por për fat të mirë vetëm një numër i vogël. Njëkohësisht, ne si mjekë ndiheshim edhe përgjegjës për të mos përhapur panik, gjë që do të ishte shumë e dëmshme për punën tonë. Por, edhe në ato ditë, kur ne të gjithë rekomandonim të mbahet distancë dhe të mënjanohen kontaktet, për ne këto rregulla nuk ishin valide. Ne vazhduam të punojmë me pacientë që kishin raste akute traumatologjike. Fatmirësisht, numri i pacientëve nuk doli ashtu si pritej, kështu që kapacitetet tona nuk u provuan asnjëherë deri në maksimum”, thotë ai për revistën albinfo.at.

Që nga fillimi i këtij muaji ata kanë filluar gradualisht t’i rikthehen normalitetit. Operacionet e anuluara i kanë planifikuar tani gjatë verës dhe kontaktet me pacientë kanë filluar të rriten, por gjithmonë me mjete mbrojtëse edhe distancë të mjaftueshme dhe pa humbur kualitetin e diagnostifikimit. Tek secili pacient është dalluar një frikë se mund të gjendej në zonë të kontaminuar.  Dr. Bujari tregon një rast me një paciente: “Një grua në moshë u paraqit në spital tri ditë pasi kishte pësuar aksident në shtëpinë e saj. Dorën nuk mund ta përdorte fare nga lëndimi që kishte pësuar, por para se të paraqitej në spital kishte shpresuar që pas disa ditësh do të mund ta shëronte vetë në shtëpi. Ajo frikësohej se me të paraqitur në spital, ku edhe trajtohen pacientët me Covid-19, do të ishte në rrezik të menjëhershëm të infektohet. Pasi e operuam me sukses dhe pasi që u lëshua nga kurimi disa ditor nga spital, mu lut që t’i mënjanoja rregullat dhe të më kapë dorën duke më falënderuar pa fund”, kujton ai ato momente mbresëlënëse duke shtuar se kjo situatë e mësoi t’i vlerësoj gjërat edhe më të thjeshta.

Lume Ademi (46) infermiere, asistente në sallën e operacionit

Lume Ademi

Lume Ademi është infermiere, asistente në sallën e operacionit në repartin e kirurgjisë plastike, estetike dhe rekonstruktive (Plastische, Ästhetische und Rekonstruktive Chirurgie) në spitalin “Barmherzige Schwestern” në Linz. Lumja i dedikon kujdesin e saj pacientëve që nga viti 2005 e deri më sot.

Ndonëse nënë e tre fëmijëve, ajo ka punuar gjithashtu gjatë gjithë periudhës së pandemisë: “Koha e koronës ka qenë dhe është stres për të gjithë. Në departamentin tonë është dashur që ne të qëndrojmë tërë kohën në dispozicion. Në fakt na është dashur që gjatë shumicës së kohës të vishnim të gjithë kostumin mbrojtës, përveç maskës dhe syzeve. Puna rutinore u ndërpre dhe ne vazhduam të trajtonim vetëm rastet emergjente. Gjithashtu organizimi i turneve ndryshoi duke krijuar tre grupe: A,B,C të cilat punonin në takt kohor dy javor, për parandalimin e infeksionit”, tregon ajo.

Ndjesia gjatë kësaj kohe ka ndikuar edhe të kolegët e Lumës, disa prej tyre kishin vërtet panik, sidomos në momentin e kontaktit me të infektuarit. Në spitalin ku ajo punon, kanë qenë 37 raste pozitive, 7 prej tyre në trajtim intensiv. Ndërkohë në fillimet e pandemisë një kolege e saj kishte rezultuar me Covid -19. Edhe bashkëshorti i koleges, mjek anestezist, ishte infektuar gjithashtu dhe fatkeqësisht pati 5 javë rresht simptoma të rënda deri në intubim. “Një rast i tillë në mesin tonë shtoi ndjenjën e pasigurisë dhe të frikës pa masë. Frika tjetër e madhe ishte gjithashtu, sepse bartja e infeksionit në shtëpi do të ishte si në rastin tim shumë fatale, pasi vjehrra ime jeton aty dhe është goxha e moshuar.”. shprehet Lumja.

E megjithëse bota rreth e qark ndryshonte dhe në shumë momente mbizotëronte frika, Lumja vazhdonte punën e saj: “Nga puna harron njeriu dhe veten! Je aq i përqendruar në punë sa që e harron virusin. Pastaj ne si staf mjekësor jemi gjithnjë të ekspozuar kundrejt sëmundjeve, por qëllimi i mirë na jep motiv për të bërë këtë punë.”, nënvizon infermierja shqiptare, Lume Ademi.

Fitim Maliqi (36), teknik mjekësor

Aq i sjellshëm dhe i gatshëm për ndihmë si me pacientët e tij, bisedon edhe për revistën albinfo.at, Fitim Mailiqi. Tekniku mjekësor i diplomuar në Austri si DGKP – „Diplomierter Gesundheits und Krankenpfleger“ – punon prej dhjetë vjetësh në azilin e të moshuarve “Haus Döbling”, në stacionin e mjekësisë interniste. “Koha e pandemisë së Covid-19 ka qenë një nga provat më të mëdha për të si teknik mjekësor. Ata kanë shumë pacientë në mbikëqyrje, por gjatë kësaj kohe ishte e domosdoshme të kishin kujdes të veçantë, pasi në “Haus Döbling” kishte raste pozitive të infektuar me koronavirus.

“Mua personalisht më është dashur të punoj shpesh në stacionin e karantinës. Kjo ka qenë një punë e lidhur me ankth dhe frikë, jo për vetën, po për familjen, veçanërisht për të moshuarit dhe fëmijët. Mundësia për të bartur virusin në shtëpi ka qenë e madhe”, shprehet Fitimi. Falënderimet dhe lavdërimet e pacientëve, e bëjnë Fitimin të ndihet krenar për profesionin që e ka zgjedhur: “Faleminderit Zotit që ju jeni këtu! Ju jeni hero!”, këto ishin fjalët më të shpeshta që ka dëgjuar Fitimi gjatë turneve të tij të gjata deri në 12 orë punë. Gjatë kësaj kohe ai ka dhënë jo vetëm mbështetje mjekësore për pacientët e tij, por mbi të gjitha mbështetje morale. Sytë falënderuese të një pacienti vlejnë më shumë se një mijë fjalë. “Sot kemi marrë aq shumë lëvdata nga pacientët dhe familjarët e tyre, sa që po ndihem prapë i motivuar të vazhdoj me punën time duke ju dalë në ndihmë pacientëve çdo herë.” – thotë 36- vjeçari me bindje dhe krenari.

Box

Pati edhe mjekë që u izoluan nga frika

Reparti ku punojnë vëllezërit  Muqolli, u përcaktua nga komuna e Vjenës si reparti përgjegjës i të gjitha rasteve traumatologjike me virusin korona të Vjenës. “Ky ndryshim total, ndryshoi shumë gjëra si: mënyrën e sjelljes me kolegë dhe pacientë apo dhe mënyrën e komunikimit me ta. E gjithë kjo ndikoi edhe te shumica me stres, në veçanti edhe te vetë personeli mjekësor. Disa u izoluan nga frika, por për fat të mirë vetëm një numër i vogël.

Box 2

“Ju jeni hero!”

Mundësia për të bartur virusin në shtëpi ka qenë e madhe”, shprehet Fitimi. Falënderimet dhe lavdërimet e pacientëve, e bëjnë Fitimin të ndihet krenar për profesionin që e ka zgjedhur: “Faleminderit Zotit që ju jeni këtu! Ju jeni hero!”, këto ishin fjalët më të shpeshta që ka dëgjuar Fitimi gjatë turneve të tij të gjata deri në 12 orë punë. Gjatë kësaj kohe ai ka dhënë jo vetëm mbështetje mjekësore për pacientët e tij, por mbi të gjitha mbështetje morale.

 

P.S: Shkrimi fillimisht është botuar në numrin më të ri të revistës albinfo.at