Ukraina

Mali i Zi zgjat sanksionet, Putini nuk mund të shkojë atje

Mali i Zi ka zgjatur sanksionet për 1 mijë e 552 persona dhe 246 persona juridikë, të cilët zbatojnë ose mbështesin aktivitete dhe politika që kërcënojnë integritetin territorial dhe pavarësinë e Ukrainës ose pengojnë punën e organizatave ndërkombëtare në atë vend.

Sipas raportimeve nga Vijesti, Qeveria e vendit atje ka njoftuar në vendimin e fundit për vendosjen e masave kufizuese ndërkombëtare të përcaktuara me vendimet e Këshillit të Bashkimit Evropian në lidhje me këta persona, shkruan albinfo.ch.

Vendimi i 5 shtatorit, personave nga lista u ndalon hyrjen në territorin e Malit të Zi, teksa në listë ka politikanë, pjesëtarë të ushtrisë, prokurorë, gjyqtarë, punonjës të medias, roje sigurie dhe sipërmarrës.

Të ndaluar janë Presidenti rus, Vladimir Putin, ministri i Punëve të Jashtme të Federatës ruse, Sergei Lavrov, ministri i Mbrojtjes i Federatës ruse, Sergei Shoigu, ish-presidenti i Rusisë dhe zëvendëspresidenti i Këshillit të Sigurisë ruse, Dmitri Medvedev dhe President i Republikës së Çeçenisë, Ramzan Kadyrov.

Ndryshe, në vendimin e qeverisë thuhet se këta janë persona që ofrojnë në mënyrë aktive mbështetje materiale ose financiare për vendimmarrësit rusë ose përfitojnë nga vendimmarrësit rusë.