Sport

“Malësia Cup”, një turnir futbolli që ofron më shumë se futboll

Këtë vit, në turnirin e dhjetë me radhë, kanë marrë pjesë 60 ekipe. Fituese e turnirit ka qenë skuadra "Malësia Reisen"

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

 

Përkundër parkingjeve të shumta në afërsi, ishte mjaft e vështirë të gjesh një vend të lirë për ta parkuar automobilin aty afër. Kjo sepse thuajse nga mëngjesi e deri në mbrëmje shqiptarët e kishin pushtuar lagjen e Dietikonit, ku po mbahej turniri  “Malësia Cup”.

Për tri ditë me radhë “Malësia Reisen” e kishte bërë organizimin tashmë tradicional të turnirit në futboll të vogël ku 60 ekipe po matnin forcat e tyre për të dalë fitues.
“Unë dua t`i falënderoj të gjithë sportistët që marrin pjesë këtu, të gjithë sponsorët pasi që me ndihmën dhe me pjesëmarrjen e tyre ne kemi arritur që tash dhjetë vite të bëjmë organizime të këtilla. Për të organizuar diçka të këtillë duhet padyshim një punë mjaft e madhe, dhe ky turnir i futbollit nuk është vetëm futboll por është me të vërtetë një takim i diasporës shqiptare anembanë Zvicrës dhe më gjerë. Ne, këtë organizim nuk e bëjmë për të përfituar diçka sepse vetëm kjo sallë e sportit na ka kushtuar mbi 12000 franga zvicerane, por këtë e bëjmë për hatër të rinisë tonë dhe me ndihmën dhe përkrahjen e gjithë sponsorëve tanë” tha Rrustem Aliaj president i “Malësia Reisen”.

Ndërsa organizatori i “Malësia Cup” Bajram Arifaj duke folur për Albinfo.ch tha se është një punë që kërkon profesionalizëm dhe këtë e kanë arritur falë organizimeve të përvitshme të turnirit.

“Në fillim kam qenë vetëm pjesëmarrës në turnir por pastaj u inkuadrova te “Malësia Cup” duke bërë regjistrimin e ekipeve, organizimin e përgjithshëm të turnirit, duke siguruar referët, mirëmbajtjen e uebfaqes, dhe gjithçka që lidhet me punën teknike. Në këtë turnir marrin pjesë 60 ekipe, kurse ka pasur raste më herët, që kemi pasur mbi 100 ekipe. Me organizimin fillojmë diku nga muaji shtator dhe për një muaj apo dy, mbushet lista me ekipet

Ekipe edhe nga Anglia e nga Kosova

E veçanta i këtij turniri është se ka ekipe jo vetëm nga Zvicra por edhe nga Anglia, Italia, Franca, Gjermania, Kosova etj. Ky turnir mbahet për tri ditë me radhë, dhe luhen gjithsej 172 lojë. Përveç kësaj, në fund të takimit pasi që të shpërndahen kupat për fituesit, sigurisht që do të ketë edhe këngë dhe valle, ku publikun do ta argëtojë këngëtari Gena. Këtë vit për fat të mirë nuk kemi pasur asnjë aksident, dhe gjithçka ka shkuar ashtu si duhet. Viteve tjera ka ndodhur që ka pasur edhe eksese por ne çdo vit e kemi listën dhe ata të cilët bëjnë probleme nuk i lejojmë që të marrin pjesë në vitin e ardhshëm” tha organizatori teknik Bajram Arifaj.

Ulëset brenda në sallë ishin të stërmbushura kurse në korridor jehonte kënga dhe vallja. Ishin të pranishme të gjitha moshat.
Referët që ndanin drejtësinë në fushë ishin shqiptarë, me licencë zvicerane.

“Unë referoj në këtë turnir tash tri vite. Organizimi i turnirit është shumë i mirë dhe nuk ka ndodhur asnjë problem. Natyrisht futbolli nganjëherë krijon fërkime në mes lojtarëve por deri më tash ka qenë super” thotë Milaim Lakna refer në premier ligë në futsall, i vetmi refer shqiptarë që referon në këtë ligë.

Historia e Malësia Cup filloi në vitin 2004 kur Avni Aliaj, Arsim Shala, dhe Ilir Shehi vendosën të themelojnë skuadrën Malësia Reisen. Këtij ekipi më vonë ju bashkëngjitën edhe Xhemil Zeqiri, Haxhi Aliaj, Naim Haziri dhe Alban Kryeziu. Të gjithë këta lojtarë ishin edhe lojtarë aktivë në skuadra të ndryshme dhe në liga të ndryshme në Zvicër.

E për dhjetëvjetorin e Malësia Cup, fitoi pikërisht skuadra “Malësia Reisen” dhe lojtari i kësaj skuadre Valon Ahmeti ishte mjaft i kënaqur.
“Luaj qe gjashtë vite për Malësinë dhe kjo është hera e parë që fitojmë finalen.  Është kënaqësi që për dhjetëvjetorin e “Malësia Cup” të fitojmë ne. Gara është mjaft e vështirë, sepse ka ekipe shumë të mira dhe nuk mund të ndodhë që në gjysmëfinale të fitojë ndonjë ekip me rezultat të thellë” tha Valon Ahmeti 28 vjeç nga Prizreni që jeton në Aargau, lojtar i ekipit fitues “Malësia Reisen”.

Për ta përcjellë këtë ngjarje, aty ishte edhe drejtoresha e Qendrës Kulturore për diaspore në Cyrih, Shukrie Ramadani. Ajo tha se atë që do të duhej ta bënte shteti i Kosovës, po duhet ta bëjnë njerëzit dhe populli saj, por më vjen mirë që ka njerëz të tillë.

Më shumë se sport

“Këtë bukuri, këtë organizim, këtë turnir unë nuk e shoh vetëm si sport, por më tepër e shoh si një takim të bashkatdhetarëve të diasporës. Këtu pashë aq shumë njerëz, të rinj e të reja, grupmosha të ndryshme me të cilët u takova pas njëzet vjetësh. Njerëzit me të vërtet kanë nevojë që të takohen njëri me tjetrin, dhe unë e falënderoj Malësia Reisen që e ka dhënë këtë mundësi. Unë mendoj që këtë mundësi duhet ta ofrojë vetë shteti i Kosovës, organizime më të shpeshta të këtilla, dhe fatkeqësisht atë që nuk po e bën shteti po e bëjnë persona të ndryshëm. Shyqyr Zotit që kemi njerëz në mesin e popullit që i kushtojnë rëndësi edhe sportit edhe kulturës edhe takimeve të ndryshme të përbashkëta” tha znj. Ramadani.

Finalja e zhvilluar në mes të ekipeve “Malësia Reisen” dhe “Eurokoha” ishte mjaft interesante. Aty nuk munguan as golat, por nuk mungoi as atmosfera që bënte publiku në tribunë.
Në fund, pas lojës së zhvilluar, takimin në mes të këtyre dy skuadrave e fitoi “Malësia Reisen” me rezultat 3 me 1.

Krejt në fund u ndanë edhe kupat për vendin e parë, të dytë dhe të tretë, dhe pas ndarjes së çmimeve, publiku u argëtua me valle me tupana dhe surle dhe pastaj në skenë doli edhe këngëtari i njohur Gena.

Ekipi që zuri vendin e parë, pra kampioni i këtij turneu, ishte “Malësia Reisen”, në vendin e dytë “Eurokoha”, në vendin e tretë “Malësia” kurse vendin e katërt “Dardania”. Portieri më i mirë i turneut u zgjodh Betim Qoqaj nga klubi “Dardania”, kurse lojtari më i mirë, Ramadan Alaj, nga ekipi i “Eurokoha”.

 

Flet lojtari më i mirë i turnirit, Ramadan Alaj

albinfo.ch i mori një deklaratë lojtarit më të mirë të këtij turneu, Ramadan Aliaj nga skuadra “Eurokoha”. “Konkurenca ka qenë shumë e fortë, sepse ka pasur edhe lojtarë të nacionaliteteve tjera por mendoj që ka plotë lojtarë të tjerë që e meritojnë që të jenë më të mirët. Kemi ardhur nga Kosova sepse këtë na e mundësoi “Eurokoha” dhe pasi që ne i kishim pasaportat e Shqipërisë kurse dy të tjerë ishin nga Zvicra, kjo bëri që të kemi më të lehtë të vijmë deri këtu në turnir. Organizimi ka qenë shumë i mirë, ka qenë perfekt dhe i falënderoj edhe publikun edhe organizatorët” tha Ramadan Alaj, i përzgjedhur si lojtari më i mirë në turnirin “Malësia Cup”.