Integrimi

Maksutaj, një shkollë më vete për boks dhe integrim

Sot, më shumë se njëzet vjet nga fillimi, Azemi ka arritur gjithë atë çfarë mund të arrihet në taiboks... dhe shumëçka më tepër!

Fillimet në Zvicër të djaloshit nga Pozhari i Deçanit ngjajnë me ato të mijëra moshatarëve të tij shqiptarë që në fillim të viteve `90 po vinin në tokën helvetike për t`iu bashkuar prindërve pas keqësimit të situatës në Kosovë. Por, shumë shpejt rruga jetësore e Azem Maksutajt, këtij çuni të shkathtë e të zgjuar, do të merrte një kthesë që e bën të dallojë nga moshatarët.

Nuk kishte më shumë se 14 vjet kur ai i hyri rrugës së thaiboksit dhe për një kohë të shkurtë arrin në majat e këtij sporti. Sot, më shumë se njëzet vjet nga ajo kohë, Azemi ka arritur gjithë atë çfarë mund të arrihet në taiboks… dhe diçka më tepër! Pos që ka fituar 14 tituj të Kampionit Botëror të këtij sporti, ai ka shumë vite që ka krijuar shkollën e tij për ushtrimin e thai boksit, Wing Thai Gym. Kjo shkollë është bërë sinonim i një institucioni unik që jo vetëm stërvit por edhe integron fëmijët dhe të rinjtë, kryesisht me prejardhje të huaj.

Shkollat dhe institucionet tjera me kohë e kanë parë te Maksutaj partnerin serioz për t`ia besuar punën në integrimin dhe edukimin e fëmijëve, kur ata kanë probleme në këtë drejtim. Kjo, sepse Azemi e njeh jetën nga të dyja anët: nga njëra anë, si fëmijë i rritur në kushte të ashpra të një fshati dukagjinas, ku ndonjëherë i është dashur edhe të shtrëngojë dhëmbët dhe në anën tjetër, në Zvicër ka njohur edhe jetën komode të moshatarëve të tij të cilët gjithçka e kanë gjetur të gatshme. Në këtë mënyrë ai ua mëson atyre motivimin për të luftuar që të realizojnë atë që synojnë por edhe për të qenë të durueshëm e kurajozë ndaj të tjerëve.

16 vjeç, Kampion Botëror, më i riu i të gjitha kohëve

“Me 14 vjet kam filluar të merrem me thaiboks, me 15 vjet kam qenë kampion i Zvicrës, me 16 vjet kampion i botës, më i riu i të gjitha kohëve ndërsa si 18 vjeçar e kam blerë këtë lokal për stërvitje”, thotë për albinfo.ch me një dozë mburrjeje legjitime Azem Maksutaj ndërkohë që inspekton vogëlushët të cilët janë duke u stërvitur në ringun e improvizuar në shkollën e tij. Ai shpeshherë ndërpret bisedën për t`iu dhënë instruksione drejtpërdrejt fëmijëve ose njërit prej asistentëve të tij që punojnë me ta.

“Unë ju tregoj atyre se ekziston edhe një botë ku fëmijët nuk kanë as lojëra kompjuterike, as çokolata e as McDonalds. Në një botë të tillë jam rritur unë dhe kjo më ka sjellë deri këtu ku jam. Prandaj, u them se duhet të punojnë fort e me vullnet për të arritur diçka në jetë”, tregon Maksutaj për mënyrat se si i motivon të vegjlit për të punuar për të ardhmen e tyre. Gjatë këtyre rrëfimeve ai nuk harron asnjëherë t`ua përkujtojë se si të rinj me prejardhje të huaj, nuk mund të bëhen kurrë zviceranë të mirë pa e dashur vendin prej nga kanë ardhur.

Shkolla e tij, adresë e besueshme për integrim

Kjo mënyrë e edukimit që praktikon Maksutaj, ka bërë që shkolla e tij të bëhet adresë shumë e preferuar për shkollat dhe institucionet arsimore e edukative të qytetit të Winterthurit e më gjerë. “Vazhdimisht më sjellin grupe nxënësish për t`i stërvitur dhe për të punuar me ta. Vijnë nga shkollat e veçanta ose nga drejtoria për arsim e këtij qyteti. Herë pas here vijnë edhe grupe arsimtarësh që të ushtrojnë”, shpjegon Azemi, në bisedë me albinfo.ch. Të gjitha këto angazhime rrjedhin krahas stërvitjeve të rregullta që qindra nxënësve i bëjnë në shkollën e tij të shtyrë nga prindërit ose nga dëshira për të stërvitur. “Kohëve të fundit është shtuar edhe numri i vajzave dhe grave zvicerane që shprehin dëshirën të ushtrojnë në këtë shkollë. Jo se kanë ambicie sportive por duan të përgatiten për vetëmbrojtje”, shton ai. Ndërkohë, në mesin e fëmijëve që stërviten, ne shohim edhe një vajzë që ushtron barabar me djemtë.

“Mbi dhjetë mijë nxënës kanë kaluar gjatë këtyre afër 20 viteve nëpër duart e mia në këtë shkollë”, thotë jo pa krenari Azemi. Për të, këta 10 mijë fëmijë dhe të rinj të edukuar nga ai, paraqesin trofeun më të çmuar në karrierën e tij të bujshme.

Në Vikipedia, Azemi figuron si njëri ndër “Bijtë e Winterthurit”

Maksutaj është prej kohësh një nga figurat emblematike të qytetit të Winterthurit. Emri i tij është edhe në mesin e “Bijve të qytetit” të prezantuar në wikipedia. Madje, për rrugën e tij jetësore e sportive, në vitin 2009 është realizuar një film i gjatë dokumentar. “Being Azem” titullohet filmi i cili ndjek kalitjen e kampionit të madh, duke e shoqëruar atë përmes evokimeve dhe dokumenteve që nga fëmijëria, shokët dhe mësuesit e tij në Kosovë e deri në kohën e kulminacionit të tij sportiv e më tutje.

“Ky film më ka ndihmuar shumë në afirmimin e punës sime dhe është një kontribut shumë i mirëseardhur për mua në punën me nxënësit. Atë ua shfaq të gjitha grupeve që frekuentojnë shkollën time”, thotë  për albinfo.ch kampioni dhe shton se filmi shfaqet edhe në ambiente tjera kudo ku bëhet fjalë për integrimin dhe ku kërkohen shembuj të suksesit në integrim.

Ndërkohë, hapësira e shkollës Wing Thai Gym në Winterthur është bërë e ngushtë për numrin e madh të kërkesave për tu stërvitur. Për këtë arsye Maksutaj, ka hapur para një viti edhe shkollën e dytë, në qytetin Wil të kantonit St. Gallen. “Shkollën në Wil e kam hapur në partneritet me afaristin nga Winterthuri, Flamur Musaj. Ka qenë ideja e tij dhe unë e kam përkrahur”, thotë Azemi për albinfo.ch. dhe sqaron se në Wil, janë më të shumtë ata që ushtrojnë me ambicie për t`u ngritur në skenën e thaiboksit.

“Aktualisht në Wil janë koncentruar ata që stërviten nën përkujdesjen time për t`u bërë kampionë”, sqaron Azemi ndërsa po bëhej gati që nga shkolla e Winterthurit të shkonte në atë të Wilit, ku ushtrimet fillonin në orën 19. “Duhet të jem patjetër edhe atje për të stërvitur dhe për të përcjellë përparimin e tyre drejt sukseseve në ring”, na thotë ai.  Dhe gjithsesi nga kjo vatër e talenteve do të dalin edhe shumë kampionë zviceranë e botërorë, siç kanë dalë me dhjetëra deri tash nga duart e arta të Azem Maksutajt.

 

“U tregoj fëmijëve se në jetë nuk vjen çdo gjë e gatshme në pjatë“

 “Unë ju tregoj atyre se ekziston edhe një botë ku fëmijët nuk kanë as lojëra kompjuterike, as çokolata e as McDonalds. Në një botë të tillë jam rritur unë dhe kjo më ka sjellë deri këtu ku jam. Prandaj, u them se duhet të punojnë fort e me vullnet për të arritur diçka në jetë”, tregon Maksutaj për mënyrat se si i motivon të vegjlit për të punuar për të ardhmen e tyre. Gjatë këtyre rrëfimeve ai nuk harron asnjëherë t`ua përkujtojë se si të rinj me prejardhje të huaj, nuk mund të bëhen kurrë zviceranë të mirë pa e dashur vendin prej nga kanë ardhur.