Lajme
Makolli: Shqetësojnë pengesat që u bëhen mërgimtarëve tanë në Serbi
"Kemi pasur edhe arrestime të mërgimtarëve në të kaluarën, me akuza nga më të ndryshmet, por në veçanti kemi pasur radhë të gjata në pikat kufitare të Serbisë në lidhje me Kosovën"

Në një intervistë që ministri i diasporës në Qeverinë e Kosovës, Ibrahim Makolli e ka dhënë për radion Evropa e Lirë shpreh shqetësimin për vështirësitë që, sipas tij, po u shkakton shteti serb mërgimtarëve kosovarë, pastaj fokusohet edhe në potencialet e mërgatës për të investuar në Kosovë, në problemin e “kartonit të gjelbër etj.
“Gjatë këtyre dy vjetëve të veprimit tonë, si Ministri e Diasporës, kemi kontaktuar pjesë të ndryshme të mërgatës sonë nëpër vende të ndryshme dhe kemi arritur që të marrim një numër të shqetësimeve, nevojave, të brengave të mërgimtarëve tanë, të cilat dallojnë në raport me vendin ku ata jetojnë. Por, në drejtim të vendit të origjinës pothuajse janë kërkesa, shqetësime dhe nevoja të njëjta”, thotë ministri Makolli.
Më tutje ai shton se mërgata jonë në fillim ka pasur problem çështjen e pajisjeve me dokumentacion të nevojshëm në kohën kur Kosova nuk ka pasur përfaqësi të saj diplomatike dhe konsullore. Sot kjo çështje është pothuajse e zgjidhur në tërësi, me gjithë faktin se Kosova nuk ka arritur të hapë përfaqësi të tilla në secilin vend ku jeton mërgata jonë. Një nga shqetësimet më të mëdha të mërgatës sonë ka të bëjë me ruajtjen e identitetit të mërgatës kur kemi parasysh se tash kemi gjeneratat e dyta e të treta, të cilat janë lindur dhe rritur në vende të ndryshme të botës.
Në këtë kuadër, bashkërisht me mërgatën ne kemi ndërmarrë veprime nga më të ndryshmet, në veçanti në përkrahjen për mësimin e gjuhës dhe kulturës të vendit të origjinës, por po ashtu edhe në bashkë-organizim edhe koordinim të aktiviteteve kulturore që janë një prej faktorëve kryesorë në këtë drejtim.
Një pjesë e mërgatës sonë, siç dihet, nuk kanë arritur ta zgjidhin statusin në vendet ku jeton. Po ashtu një pjesë e mërgatës në vende të ndryshme, pavarësisht faktit se neve na kanë njohur këto shtete si shtet i pavarur dhe sovran, megjithatë administrata edhe më tutje vepron sikurse në të kaluarën dhe ata përballen me këto probleme, ka thënë Makolli në vazhdim.
Ai ka folur edhe për pagesat që mërgimtarët tanë detyrohen t`i bëjnëme të hyrë në Kosovë. Rreth kësaj ai është shprehur: “Nuk është në dorën e Ministrisë së Diasporës, sepse ne siç e dimë Kosova nuk është pjesë e rrjetit të Kartonit të Gjelbër, rrjedhimisht i bie që çdo veturë me regjistrim të huaj që hyn në territorin e Republikës së Kosovës, është e obliguar që të pajiset me polisën kufitare të sigurisë.
Ne këtë çështje e kemi trajtuar disa herë edhe me shoqatën e kompanive të sigurimeve në Kosovë, e gjithashtu edhe me Bankën Qendrore të Kosovës për të gjetur një zgjidhje deri në kohën kur Kosova nuk do të jetë anëtare e këtij rrjeti. Kosova ka përfunduar një pjesë të legjislacionit të nevojshëm në këtë drejtim. Është themeluar Byroja nacionale e Kartonit të Gjelbër, por nga përgjigjet që ka marrë Kosova deri më tash nga ky rrjet është se për të qenë pjesë e saj, vendi duhet të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Megjithatë, jemi përpjekur që ta gjejmë një zgjidhje të ndërmjetme në këtë drejtim. Tashmë ka një zbritje të çmimit të kësaj polise kufitare të sigurisë, por ne nuk do të ndalemi së vepruari deri në momentin kur Kosova të jetë anëtare e këtij rrjeti, në mënyrë që të krijohen mundësi jo vetëm për ata, të cilët janë jashtë dhe hyjnë në territorin e Kosovës, e po ashtu edhe për automjetet me regjistrim të Kosovës që të lëvizin lirshëm pa pasur nevojë që të paguajnë taksa kufitare të sigurisë, ka thënë më tutje Makolli.
Ndërsa ai ka theksuar se mërgimtarët me të drejtë po ankohen për pengesat që po u bëhen nga autoritetet serbe gjatë kalimit të tyre nëpër Serbi, rrugës për në Kosovë, gjatë pushimeve.
“Serbia po vazhdon me obstruksione të ndryshme në raport me Kosovën dhe qytetarët e saj edhe një pjesë mërgimtarëve të saj që lëvizin nëpër territorin e Serbisë, kryesisht gjatë pushimeve, për të ardhur në vendlindje, hasin në probleme nga më të ndryshmet, të cilat bëhen me qëllim që t’i lodhin dhe t’i nëpërkëmbin mërgimtarët tanë.
Kemi pasur edhe arrestime të mërgimtarëve në të kaluarën, me akuza nga më të ndryshmet, por në veçanti kemi pasur radhë të gjata në pikat kufitare të Serbisë në lidhje me Kosovën dhe një numër i mërgimtarëve tanë kanë pritur me orë të tëra nëpër këto vendkalime kufitare. Me këtë rast, ne kemi reaguar edhe tek autoritetet tjera, edhe te Bashkimi Evropian që ka ndikim më të madh në autoritetet e Serbisë, por ne jemi të vetëdijshëm që obstruksione të tilla Serbia do të vazhdojë edhe në të ardhmen t’u bëjë qytetarëve të Kosovës në forma nga më të ndryshmet.
Ne kemi parasysh që problemet e mërgimtarëve tanë lindin që me hyrjen e tyre në kufirin e Serbisë nga vendet e treta dhe deri me rastin e hyrjes së tyre në territorin e Kosovës. Në shumë raste mërgimtarët, madje, janë ankuar edhe në detyrimet, të cilat u kanë vënë autoritetet serbe për të paguar shuma të ndryshme me qëllim që të kalojnë, ose më lehtë ose të kalojnë më shpejt, në territorin e Serbisë. Besojmë që këto probleme do të zgjidhen tashmë në kuadër të këtyre marrëveshjeve dhe bisedave që Kosova ka me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe po besojmë që Serbia do të largohet nga mentaliteti i së kaluarës.
E-Diaspora
-
Hap dyert pika e re shkollore në Arbon të Kantonit të Thurgaut Që nga dita e parë, nxënësve iu shpërndanë librat shkollorë, dhuratë nga Ministritë e Arsimit, të...
-
Promovim libri nga studentët shqiptarë të Gjenevës dhe KSHGJ
-
Tri klube të Ligës Premier monitorojnë Ardon Jasharin
-
Komuniteti mysliman shqiptar në Zvicër uron festën e Fitër Bajramit
-
Dënohet kosovarja: I ka vjedhur 30.000 franga plakës për të cilën kujdesej
Jeta në Zvicër
-
Vinçi më i madh i Zvicrës po përdoret për rinovimin e urës Për restaurimin e këtij monumenti industrial po rinovohen individualisht tre elementë urë. Edhe ndërtimi i saj...
-
Hap dyert pika e re shkollore në Arbon të Kantonit të Thurgaut
-
Zvicër: Kërkohet që dyqanet e vetë-shërbimit të lejohen të qëndrojnë gjithmonë të hapura
-
Çfarë do të ndryshojë në Zvicër nga prilli?
-
Një në 22 makina në Zvicër është elektrike