Lajme

Makolli premton shumë për Diasporën

Ibrahim Makolli, ministër për Diasporë në Qeverinë e Kosovës, vizitën e parë jashtë vendit do ta bëjë në Zvicër

Edhe pse jeton në Prishtinë, Ibrahim Makolli, i sapoemëruar si ministër për Diasporë, beson se di shumë për problemet që kanë bashkatdhetarët. Krijimin e këtij dikasteri, ai nuk e shikon thjesht si një vend pune për të, por si një borxh që duhet kthyer diasporës, për kontributin e madh që ata kanë dhënë për Kosovën. Në një intervistë për Albino.Ch, ministri Makolli shpreson edhe në miratimin sa më të shpejtë të Ligjit për Mërgatën, që aktualisht është në amandametim. Me këtë ligj, partitë politike të Kosovës në diasporë do të shuhen, kurse potenciali i bashkatdhetarëve do të kanalizohet në një drejtim.

Albinfo.ch: Pse e pranuat këtë post?

I. Makolli: Ka disa arsye që më kanë shtyrë ta pranoj postin e Ministrit të Diasporës. E para, se tash e shumë kohë i njoh problemet, shqetësimet dhe nevojat e diasporës.

Albinfo.ch: Si i njihni këto probleme?

I. Makolli: I njoh sepse nga vitet e 90’ta e këtej, kam lëvizur në vendet të ndryshme, në kapacitete të ndryshme për shkak të angazhimeve që kam pasur. Kemi qenë të detyruar, jo se na ka detyruar dikush me dhunë, por ishim të detyruar t’i njohim shqetësimet e diasporës sepse të gjithë në forma të ndryshme kemi qenë të prekur nga nevoja e shqiptarëve, për t’u larguar nga vendi i vet. Sot nuk ka në Kosovë asnjë familje që nuk e ka së paku një anëtar në diasporë. Kam konsideruar dhe konsideroj se mërgata jonë e meriton një trajtim institucional. Diaspora e ka dhënë provimin për këtë vend. Edhe para viteve 90’ta, deri në fillim të luftës, edhe në periudhën e luftës, jo vetëm me mjete materiale. Sepse ka përpjekje të thuhet se vetëm materialisht ata kanë ndihmuar, por diaspora e ka dhënë provimin edhe politik, material dhe njerëzor për vendin. Është koha që Kosova t’u kthejë atë borxh.

Albinfo: ch: Ata e kanë dhënë provimin, por ju çfarë provimi do të jepni për ta. Çfarë saktësisht do të bëni?

I. Makolli: Ka disa objektiva tonë që natyrisht se do të shndërrohen në politika të shtetit të Kosovës. E para, që diaspora ta ketë një adresë të saj për nevoja të veta. E dyta, që Kosova të ndihmojë në ruajtjen dhe avancimin e identitetit kombëtar të njerëzve tanë që janë jashtë. Sot janë bërë gjeneratat e treta e të katërta apo edhe të pesta që shteti amë ka për obligim t’i mbajë lidhjet e përhershme me ta, që të ruajnë identitetin kombëtar.

Albinfo.ch: A nuk e ka këtë detyrë Ministria e Arsimit dhe ajo e Punëve të Jashtme?

I. Makolli: Ka detyrime të tjera ministria. Mund të jenë pjesërisht të prekshme në këtë aspekt, por ka detyrime të tjera. Në aspektin e arsimimit, jo në atë kuptim të arsimimit, siç mendohet sepse ata kanë arsimim atje, por të mbajtjes së kulturës, të një organizimi të mirëfilltë çfarë e kanë edhe mërgatat që janë treguar të suksesshme. Mërgata jonë është organizuar për shumë arsye edhe para viteve të 90-ta, në parti politike, që është parcializuar, fuqia, kapaciteti dhe mundësia e diasporës që të jetë një tërësi. Me Ligjin e Mërgatës që tash është në amandamentim, parashikohet krijimi i këshillave të mërgatës në secilin shtet.

Albinfo.ch: Kjo do të thotë se nuk do të ketë parti politike në diasporë?

I. Makolli: Po, madje edhe me ligj, ndalohet ndarja e diasporës në parti politike.

Albinfo.ch: Por a nuk do të jetë kjo problem?

I. Makolli: Nëse mendojmë në këtë mënyrë, atëherë nuk do të mund të lëvizim asnjë hap në këtë drejtim. Në interes të Kosovës që është më i madh se i partive politike, në interes të diasporës që është më i madh se i partive politike, është organizimi i tyre dhe bashkimi i kapaciteteve të tyre.

Albinfo.ch: A nuk është kjo një përzierje punësh. Këto që thoni, mund t’i bëjë edhe Ministria e Punëve të Jashtme, ajo e Arsimit, pastaj Departamenti për Çështje Jorezidente që vepron në kuadër të Ministrisë së Kulturës. Me gjithë këto institucione, më duket se këtu dikush do të mbetet pa punuar?

I. Makolli: Kjo që thoni ju është të gjithë ngapak e askush përgjegjësi. Sipas kësaj logjike, i bie që në Qeveri, një njeri i vetëm apo një dikaster i vetëm mundet sepse jeta e qytetarit ka të bëjë edhe me zhvillimin ekonomik, arsim, shëndetësi…

Albinfo.ch: Nëse një mërgimtar vjen e ju troket në derë për ndihmë, si do ta ndihmoni kur derisa të vijë këtu, ka shumë probleme, duke nisur që nga kufiri që iu merrni shumë para për të siguruar automjetin?

I. Makolli: Ne jemi për të gjitha problemet e tyre. Jemi në ndërtim të departamenteve dhe divizioneve. Në kuadër të kësaj ministrie do të krijohet edhe një zyrë ligjore.

Pra ata do t’i drejtohen zyrës dhe te gjitha nevojat që kanë në raport me shtetin do të zgjidh ky Departament i Ministrisë. Çështja e sigurimeve në kufi është diçka që edhe unë e kam kritikuar dhe kam kërkuar të shikohet se çfarë mund të bëhet në këtë drejtim. E kam ndërmend që këto javë të takohem me disa shtete dhe të shikoj se si është puna e sigurimeve të cilat në rast të dëmeve, a e mbulojnë edhe territorin e Kosovës. Ka kompani të sigurimeve që nuk e mbulojnë për një arsye apo tjetër.

Albinfo.ch: Por problemi është te Qeveria jonë?

I.Makolli: Pikërisht këtu do t’i hulumtoj. Kam rënë në kontakt me disa prej ambasadorëve me të cilët ka mbetur të trajtohet edhe kjo çështje se a u pranohet në ato shtete shpagimi i dëmeve në rast se shkaktohet në Kosovë. Nëse jo, do të shikojmë se si të veprohet më tutje, ose në zvogëlimin e tyre, ose të krijohet një fond i veçantë në kuadër të Kosovës që do të mund të paguante dëmet. Duhet ta zgjidhim këtë problem duke mos e dëmtuar diasporën, sepse shumë lehtë mund të merret një vendim me të cilin lejohet hyrja në Kosovë pa sigurim. Në rast se atyre nuk u paguhen dëmet nga kompanitë e tyre që i kanë siguruar, atëherë ne nuk duhet të bëjmë veprime përmes të cilave duke u përpjekur të bëjmë diçka të mirë, t’i dëmtojmë edhe më shumë.

Albinfo.ch: Bëhuni realist ministër se me këto sigurime, buxheti i Kosovës mbushet goxha mirë?

I. Makolli: Shumë pak. Nga ajo që unë kam kuptuar, buxheti i Kosovës përfiton shumë pak, sepse ato u paguhen kompanive të sigurimit dhe unë do të bisedoj edhe me këto kompani.

Albinfo.ch: Kur mund të shohim një veprim konkret që i tregon diasporës se ju përnjëmend po bëni diçka për ta?

I. Makolli: Unë iu garantoj se Ministria për Diasporë nuk do të ketë aspak burokraci. Do të jetë shumë e efektshme në përgjigje ndaj kërkesave të diasporës. Do të jetë 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë në funksion të diasporës, në çfarëdo kohe. Jam shumë i përkushtuar që brenda një afati të shkurtër kohor, të shihen efektet e para të kësaj ministrie. Ne tashmë po përgatitemi t’i presim bashkatdhetarët tanë. Po fillojmë bashkëpunimin me nivelin qendror e lokal për trajtimin e nevojave të tyre në afatin më të shpejtë kohor.

Albinfo.ch: Gjysma e pushimit, bashkatdhetarëve iu kalon duke pritur në radhë të gjata për dokumente. Çfarë do të bëni?

I. Makolli: Pikërisht, zyra që unë thash për ndihmë juridike që do të formohet në kuadër të Ministrisë, do të eliminojë këto pengesa

Albinfo.ch: Të kthehemi të emërimi juaj. A nuk kish qenë më mirë që në këtë detyrë të vendoset një mërgimtar sepse është më shumë i njoftuar me hallet që ata kanë, sesa një person si ju që jeton gjatë tërë kohës në Prishtinë?

I. Makolli: Nuk them se nuk ka pasur me dhjetëra e qindra njerëz në diasporë të cilët nuk do të mundeshin me kompetencë ta drejtonin këtë ministri. Nuk them gjithashtu se as në Kosovë nuk ka pasur dhjetëra e qindra njerëz që po ashtu në mënyrë shumë meritore do ta drejtonin këtë ministri. Këto janë çështje që mund të diskutohen. Diçka duhet të dihet. Emërimi im në krye të këtij dikasteri, ka ndodhur për shumë arsye…

Albinfo.ch: Kryesorja është arsyeja politike?

I. Makolli: Nuk është politike. Emërimi im këtu nuk është për të më gjetur një vend pune. Kam qenë deputet, shef i Grupit Parlamentar dhe natyrisht nuk ka qenë e lehtë për mua të jap dorëheqje nga detyra e deputetit. Nuk është e lehtë për një deputet ta dorëzojë mandatin.

Albinfo.ch: Atëherë kjo i bie tradhti ndaj votuesve tuaj?

I. Makolli: Jo, më lejoni ta përfundoj. Njeriu në jetën politike ka disa synime. Kam vlerësuar dhe vlerësoj se mund të bëjë diçka më shumë në këtë kapacitet për diasporën, sesa duke qenë vetëm deputet. Kam vlerësuar se mund të bëjë më tepër për shkak se i njoh nevojat e tyre, dhe i njoh e i kam studiuar edhe mekanizmat që duhet të ishin në funksion për t’i zgjidhur problemet. Jo gjithherë mjafton t’i dish problemet. Ka nevojë edhe t’i dish mekanizmat për t’i zgjidhur. Qytetari i di problemet por jo gjithkush mund t’i zgjidh ato. Kjo është arsyeja. Dhe në asnjë rast nuk duhet të kuptohet se krijimi i Ministrisë së Diasporës, ka qenë sa për të rehatuar interesat e partnerëve të koalicionit. Ka qenë kërkesë edhe e mëhershme e atyre që sot për interesa politike akuzojnë . Ata kanë akuzuar edhe më herët pse nuk po themelohet Ministria e Diasporës. Gjatë këtyre ditëve kam hulumtuar me dhjetëra raporte, hulumtime apo studime të organizatave të shoqërisë civile, të partive politike lidhur me këtë çështje, dhe rekomandimi kryesor i të gjitha prej tyre është themelimi i Ministrisë së Diasporës. Duke hulumtuar nevojat dhe problemet kanë ardhur në përfundim se i vetmi mekanizëm përmes të cilit do të mund të zgjidhnin problemet, do të ishte krijimi i kësaj ministrie. Tash nëse thuhet pse në këtë moment, është krejt çështje tjetër. Por unë them se jemi vonuar. Nuk është me rëndësi se kush është në qeveri apo kush është ministër. Me rëndësi është të ketë një adresë dhe të punohet diçka për ata njerëz. Diaspora, përfundimisht nuk duhet të shikohet vetëm si potencial ekonomik për vendin, por në radhë të parë si potencial intelektual dhe politik.

Albinfo.ch: Mendoni se edhe kur të ndërrohet Qeveria kjo ministri do të vazhdojë së ekzistuari?

I. Makolli: Nëse një popull edhe një vend e mendon se janë të tepërt një e treta e popullsisë së vet, atëherë është çështje tjetër. Iu thash se nuk është me rëndësi se kush është në krye të qeverisë apo ministrisë. Nëse për ne nuk është e nevojshme një e treta e popullit, atëherë është çështje tjetër. Secili nga ne ka familjarë atje. Secili jemi të prekur nga detyrimet për të dalë jashtë vendit. Besoj se në të ardhmen, për shkak që kemi dhe do të kemi njerëz tanë jashtë vendit, është e nevojshme ekzistimi i saj dhe forcimi i kapaciteteve të saj. Jam bindur se gjatë këtij mandati, do të hartojmë politika që cilido që vjen nesër dhe cilido ministër që vjen nesër, do ta vazhdojë punën. Nuk jam i interesuar që gjithçka që krijohet të shkatërrohet në momentin që ndërrohet ministri. Në këtë mënyrë ne nuk po mund ta bëjmë hapin e pestë. Kjo është pengesa që na ka vonuar sepse asnjëherë nuk është vazhduar puna, por gjithmonë sa herë që janë ndërruar ministrat dhe Qeveria, është rifilluar nga pika zero. Ka ikur koha kur ne duhet të veprojmë kështu. Për ta përfunduar, jam i interesuar të ndërtoj mekanizma me të cilat do t’i diskutoj jo vetëm me partitë në pushtet, por edhe me opozitën, shoqërinë civile e në veçanti me diasporën, se çfarë mekanizmash do të krijohen që ata të jenë të qëndrueshëm dhe të ecet përpara.

Albinfo.ch: Maqedonia në sistemin zgjedhor, e ka të vendosur edhe zgjedhjen e deputetëve të diasporës, por që vijnë nga diaspora. Cila mendoni se është më efektive, të ketë deputetë nga diaspora apo një ministër për diasporë?

I. Makolli: Kur e thash që diaspora duhet të shikohet si potencial ekonomik dhe politik, e kisha parasysh pikërisht këtë. Duhet shikuar se cilat janë modalitetet, format në përfshirjen direkte të diasporës në proceset politike, është çështje që mund të diskutohet bashkë me diasporën. A do të jetë përmes garantimit të vendeve në Kuvendin e Republikës, apo formave të tjera është çështje që duhet analizuar bashkërisht, që të mos bëjmë eksperimente. Por ajo që jam i sigurt dhe i bindur është se pa përfshirjen direkte të diasporës, rruga jonë për integrime do të jetë shumë më e vështirë.

Albinfo.ch: Çfarë do të ndodh me Departamentin për Çështje Jorezidente që vepron në kuadër të Ministrisë së Kulturës?

I. Makolli: Tash ligji për mërgatën ka hyrë në procedura të amandamentimit dhe ai departament do të shkrihet në ministri. Pra kemi një avancim, prej një agjencioni në Ministri, dhe do të jetë pjesë e brendshme e saj.

Albinfo.ch: Ku edhe kur do të vizitoni së pari diasporën?

I. Makolli: Sipas të gjitha gjasave, vizita ime e parë në diasporë do të jetë në Zvicër.

Albinfo.ch: Kur?

I. Makolli: Ka mundësi javën e ardhshme. Por natyrisht jam i interesuar që në këtë rrugë, të lëviz edhe nëpër vendet e tjera në mënyrë që të filloj një kontakt direkt me mërgatën. Besoj në javën e ardhshme, por muaji qershor do të jetë gjithsesi koha kur do të vizitoj diasporën. Natyrisht për të trajtuar mundësitë, nevojat në veçanti për këtë periudhë kohore. Natyrisht se është shumë e shkurtër sepse edhe dy javë fillon ardhja e mërgimtarëve, por ne kemi ndërmarrë dhe do të ndërmarrin veprime të tilla me të cilat do të jemi të gatshëm të presim diasporën.