Lajme

Makinat Tesla të oficerëve të lartë të ushtrisë zvicerane krijojnë hapësira për spiunazh

Ushtria e Zvicrës përdor 30 makina Tesla për personelin ushtarak profesionist. Si të gjitha automjetet Tesla, edhe këto janë të pajisura me kamera dhe mikrofonë të shumtë, si dhe me sistem GPS që transmeton vendndodhjen në kohë reale tek prodhuesi, Tesla.

Kjo krijon mundësinë që kompania të ketë qasje në informacione të ndjeshme, si vendndodhjet e armëve, komunikimet apo bisedat konfidenciale, transmeton albinfo.ch

Frika nga spiunazhi dhe mungesa e privatësisë

Kritikët paralajmërojnë se ky sistem i ndërlikuar i kamerave dhe mikrofonëve mund të përbëjë një rrezik real spiunazhi. Shembuj nga Gjermania dhe Kina tregojnë seriozitetin e situatës: në Gjermani, Tesla-t janë ndaluar nga bazat ushtarake, ndërsa në Kinë ndalohet përdorimi i tyre nga personeli ushtarak.

Në Kantonin e Basel-Stadt, ku policia përdor disa Tesla, u krye një kontroll sigurie përpara përdorimit të tyre. U zbulua se të dhënat e vendndodhjes transmetohen në kohë reale tek Tesla – edhe kur makina është e ndalur.

Çfarë thonë autoritetet dhe politikanët?

Zyra Federale për Armatime deklaroi se nuk sheh ndonjë rrezik konkret dhe se përgjegjësia për mbrojtjen e të dhënave u takon vetë punonjësve. Kjo deklaratë ka hasur në kritika.

Franziska Roth nga SP kërkon që në të ardhmen të blihen alternativa evropiane në vend të makinave Tesla. Ndërsa Rino Büchel nga SVP thotë: “Nëse mbrojtja e të dhënave rrezikohet, duhet të rikthehemi te makinat funksionale, pa teknologji të tepërt.”