Kuriozitete
Makinat elektrike dominojnë në Panairin e Makinave të Parisit
Të hënën filloi në Paris panairi i makinave, ku dominuan ato elektrike, duke dëshmuar kështu angazhimin e industrisë së makinave për t’u bërë plotësisht elektrike deri në vitin 2035. Në çeljen e panairit ishin të pranishëm emra të njohur, si Presidenti francez, Emmanuel Macron, aktorja franceze Juliette Binoche dhe ish-fubollisti Eric Cantona.
Në edicionin e 90-të të panairit të makinave në Paris u paraqitën disa nga modelet më të fundit të prodhuesve të automobilëve.
Presidenti francez, Emanuel Macron, ishte i pranishëm për të treguar mbështetjen e tij për kompanitë franceze të prodhimit të makinave. Ai madje u ul për të provuar një prototip të kompanisë Peugeot.
Kompanitë franceze patën një paraqitje të mirë. Kompanitë si Renault dhe Citroen paraqitën makina të reja elektrike, që nga ato për tregun e përgjithshëm evropian dhe deri tek makinat e vogla të projektuara për përdorimin në qytetet evropiane.
Ky është aktiviteti më i mirë që prodhuesit të vendosin kontakte të drejtpërdrejta me konsumatorët, thotë Serge Gachot, drejtor i Panairit të Makinave në Paris.
“Mendoj se është e rëndësishme që kompanitë të nxjerrin në pah produktet e tyre më të reja dhe që drejtuesit e tyre të kenë mundësi për të trajtuar edhe tematika më politike. Sapo patëm zgjedhje në Evropë rishtazi, do të ketë zgjedhje në SHBA për pak javë. Mendoj se është e rëndësishme të flitet për çështje të caktuara, për orientimin deri në vitin 2035 drejt makinave plotësisht elektrike”, thotë zoti Gachot.
Sipas planit të miratuar nga Bashkimi Evropian për eliminimin e ndotjes deri në vitin 2050, shitja e makinave të reja me naftë dhe benzinë pritet të ndalet deri në vitin 2035.
Ashtu si kompanitë franceze, edhe ajo gjermane BMW, ka investuar shumë në teknologjinë e makinave elektrike. BMW-ja paraqiti veturën e re Neue Klasse që shfrytëzon të gjithë gjatësinë e xhamit të përparmë për të paraqitur informacione dixhitale.
Edhe MINI Cooper, makina e preferuar e aktores franceze Juliette Binoche, është tashmë elektrike dhe me një kapacitet më të madh baterish, me distanca maksimale në deri 371 kilometra.
Kompania tjetër gjermane Audi paraqiti versionet e reja të makinave të saj elektrike, si Q6-ta. Makina elektrike paraqiti madje edhe kompania çeke Skoda.
Kompanitë evropiane kanë investuar burime të shumta tek makinat elektrike dhe tashmë po rrisin trysninë ndaj qeverive që t’i mbështesin me subvencione përpjekjet e tyre, thotë Mark Tisshaw, redaktor në revistën Autocar.
“Jemi tashmë përtej pikës së novacionit fillestar dhe gjendemi në fazën e prodhimit masiv për tregun. Dhe mënyra për t’i tërhequr njerëzit në këtë treg është nëpërmjet ofertave. Kompanitë e prodhimit të automjeteve thonë se tashmë e kanë bërë pjesën e tyre dhe po u kërkojnë qeverive që t’i mbështesin këto makina elektrike që kushtojnë më shumë se makinat me karburant”, thotë zoti Tisshaw.
Krahas kompanive evropiane, në panair morën pjesë edhe kompanitë nga Amerika dhe Azia. Kompania kineze XPeng paraqiti veturën e saj të drejtuar nga inteligjenca artificiale.
Vëmendje tërhoqën kompania Tesla, me kamionin e saj të shumëpritur Cybertruck, kompania Cadillac me makinën e saj të re elektrike Lyriq, si dhe kompania Ford, e cila riprezantoi për publikun, me ndihmën e futbollistit francez Eric Cantona, versionin e ri elektrik të makinës së njohur 1969 Capri. /VOA
E-Diaspora
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë Drejtuesja politike e PD të Shqipërisë për Diasporën, Jozefina Topalli po qëndron në New York të...
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
-
Një rrugë në Filadelfia të SHBA-së merr emrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”
-
Në kërkim për trafik droge, arrestohet në Spanjë 32-vjeçari shqiptar
-
Itali: Shpërthen fabrika e fishekzjarreve, humbin jeten 2 motra dhe një 18-vjeçar shqiptar
Jeta në Zvicër
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor Të mërkurën, Këshilli Federal vendosi hyrjen në fuqi të urdhëresës përkatëse për 1 janar 2025, ashgu...
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025
-
Shumica e zviceranëve nuk i pëlqejnë masat shtrënguese të qeverisë së tyre