Kultura

Magjia e këngës së Osumit, në brigjet e Lumbardhit të Prizrenit

Në mbrëmjen e pesë gushtit në skenën e improvizuar buzë lumit në kuadrin e DokuFestit performoi grupi polifonik i grave nga Berati

Një jehonë e zvargur zërash të grave duket sikur vjen nga kohë të lashta. Por, duke u afruar, sheh se ajo vjen, tashmë e ngjallur, nga Lumbardhi dhe përhap jonet e saj në ambientet buzë lumit.

Zërat vijnë herë në trajtë vaji, herë gëzimi, por ato bashkë janë brumi i këngës polifonike të grupit të këngëtareve që sonte kanë ardhur këtu nga Berati, shkruan albinfo.ch. Ato kanë sjellë në Prizrenin e bukur magjinë e këngës, isos polifonike nga zona e tyre.

© Albinfo.ch

Polifonia e jugut është një këndim shumëzërash që për vlerat e saj është shpallur me kohë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore, të mbrojtur nga Unesco.

Ndërsa grupi “Zërat e lumit” që performoi mbrëmjen e pesë gushtit në skenën e improvizuar buzë lumit në kuadrin e DokuFestit, është një grup polifonik i grave nga Berati. Ai është themeluar në vitin 1999 dhe kultivon me fanatizëm trajtën burimore të polifonisë nga zona e lumit Osum.

© Tughan Anit (DokuFest)

Një qilim tradicional me motive popullore kuq e zi, i shtruar mbi gurëzit buzë lumit, është e gjithë skenografia e koncertit. Gratë nga Osumi me zërin e tyre melankolik përcjellin te publiku mesazhe nga “lumi i tyre” që i  shkojnë  “lumit tonë”. E ato mesazhe janë kudo njësoj: i këndojnë dashurisë, migrimit, martesës etj.

Ndërsa rrugët rreth Lumbardhit dhe më thellë në qytet, janë përplot me kalimtarë dhe vizitorë të festës në të cilën po jeton i gjithë Prizreni këto ditë: DokuFestit.

© Tughan Anit (DokuFest)